Drafti i BE’së për Asociacionin, Konjufca: Është në përputhje me Kushtetutën, s’negociohet me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se plani i ri i BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk ka kompetenca ekzekutive.

Ai ka deklaruar se ai plan është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, Konjufca e ka pranuar se nuk e ka shqyrtuar me kujdes këtë plan.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor. Por po, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kufarë niveli i pushtetit në Kosovës. Por, edhe kjo nuk mendoj se është temë e negociatave me Serbinë.” – ka thënë Konjufca, pas seancës gjyqësore që ka pasur dje, transmeton T7.

Ai ka theksuar se të gjitha propozimet duhet të shqyrtohen me kujdes.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të diskutojë me Serbinë për Asociacionin.

“Sa i përket planit që është propozuar dhe ideve të reja, ato duhet të shqyrtohen me kujdes dhe ta bëjmë një dallim. Dallimi që është esencial për Republikën e Kosovës dhe për institucionet tona shtetërore ka të bëj me faktin që për Asociacion nuk duhet të negociohet. Nuk është asociacioni temë qendrorë në negociata me Serbinë. Ai është si një marrëveshje e mëhershme e vitit 2013.” – shtoi Konjufca.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës tashmë e ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serb.

Mediumi “Koha” raportoi se nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar që është pranuar plani i prezantuar nga pesë emisarët perëndimorë gjatë vizitës së tyre të shtunën.

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.” – raportohet se thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Kujtojmë që në një intervistë për “Financial Times” të publikuar sot, Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë dialog pa u sanksionuar Serbia për ngjarjet e 24 shtatorit.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog.” – ka thënë Kurti.

“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin” – ka thënë tutje ai për Finacial Times.

Kurti i akuzoi sulmuesit se “po mundoheshin që të nisnin një konflikt të armatosur të ri, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”.

Ai tha se pas sulmit të 24 shtatorit, “gjithçka ka ndryshuar. Nuk mund t’i kthehemi punës si zakonisht.”