Drejtori i Trustit ‘pare si zalli’, 104 mijë kosovarë s’mund t’i marrin as nga 10 euro
Tërheqja e 10 % të Trustit është tema më e diskutueshme në Kosovë në javën e fundit, shkruan gazeta online Mediafokus.info.
Sipas statistikave të Trustit, 104 mijë kosovarë nuk kanë më shumë se 100 euro në Trust dhe rrjedhimisht me tërheqjen e 10 %, i bie se mund t’i marrin jo më shumë se 10 euro.
Por, drejtori i Trustit Pensional të Kosovës, Ardian Zalli, për një vit merr pagë hiç më pak se 50 mijë euro dhe paguhet nga paratë e Trustit, transmeton Mediafokus.info.
Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, ka ironizuar pak me pagën dhe mbiemrin e tij.
“Ky far Ardian Zalli bukfalisht pare si zalli, e qindra mijera qytetare nuk mund t’i marrin as 100 euro”, ka qenë komenti i saj, në një status të zëdhënësit të KEDS’it dhe ish gazetarit, Viktor Buzhala.
“Ju që i jeni turrë trustit për t’i shpenzuar kursimet tuaja pensionale a e dini se udhëheqës i trustit është Ardian Zalli i cili paguhet fiks 50 mije euro ne vit prej pareve te trustit.Pra, paga e tij që është më e larta në Kosovë nuk paguhet prej Buxhetit të Kosovës, po prej pareve tona ne trust”, ka shkruar, përvec tjerash, Buzhala, transmeton Mediafokus.info.
Sipas statistikave të Trustit të Kosovës, 639 mijë e 254 është numri total i kontribuuesve në Trustin Pensional.
104 mijë kosovarë kanë vetëm 100 euro në trust, 12 mijë e 944 persona kanë mbi 20 mijë euro, ndërkohë që 212 mijë e 799 persona kanë nga 100 deri në 1000 euro në Trust.
Ndërsa, 194 mijë e 857 persona kanë nga 1000 deri në 5000 euro.
Në Trust nga 5000 deri 10000 euro i kanë 74 mijë e 99 persona, derisa nga 10000 deri 20000 euro i kanë 40 mijë e 440 persona./Mediafokus.info/

