Duhet më shumë dashuri ndaj ambientit ku jetojmë, si nga qytetarët, ashtu edhe nga mirëmbajtësit e tij

Në shoqërinë tonë, përgjithësisht mungon kultura e mirëmbajtjes dhe kujdesit ndaj ambientit. Në hapësira publike sheh lloj-lloj mbeturinash.

Mungesë të kulturës ambientale ka edhe te vetë mirëmbajtësit e hapësirave publike, të cilët patjetër duhet edukuar më mirë në këtë drejtim nga ndërmarrjet dhe kompanitë ku ata punojnë.

Pastrim dhe mirëmbajtje e hapësirave publike nuk quhet heqja e një kënaqe ose najloni nga rruga dhe trotuari, por e çdo mbeturine tjetër, përfshirë edhe bishta cigaresh, copëza letrash, kapakë të shisheve, baltë…

Hapësira publike nuk janë vetëm rrugë dhe trotuaret, po edhe përtej tyre. Kuptohet, jo pronat private.

Mirëmbajtësit e rrugëve ndjekin logjikën “një merr, një lë”, derisa përtej trotuareve nuk dalin fare.

Një pastrim i mirëfilltë mund të ndikojë tek ndërgjegjësimi qytetar, sepse në një hapësirë të pastër publike, pakkush do të merrte guximin të hidhte një mbeturinë.

Por, kur ka mbeturina, ndokush mbase edhe nuk ngurron ta hedh edhe ai një.

Punëtorët e mirëmbajtjes jo vetëm duhet të edukohen për punën e tyre, po edhe të inspektohen, sikurse nevojitet një ndërgjegjësim i përgjithshëm qytetar, sepse ambienti është pronë e përbashkët, ku jetojmë dhe rrisim fëmijët tanë.

Lagja Iliria (Kamnik) dhe ndoshta jo vetëm, po shfrytëzohet si një kontejner i madh publik për hedhjen e mbeturinave edhe nga banorët e periferisë së qytetit, që këtu sjellin me vetura edhe mbeturina të ngurta e industriale.

Aty sheh dyshekë të vjetër, vaska, barishte, mbeturina metali e gjithçka tjetër që e shëmton një ambient jetësor dhe që nuk përkon me një kulturë qytetarie.

Këto imazhe prishin kulturën ambientale. Hapësira publike ku jetojmë nuk guxon të ketë një pamje të tillë.

Ndaj ambientit duhet dashuri më e madhe. Ambienti është vetë jeta jonë./Mediafokus/(foto ilustrim)