Dukagjini merr një fitore të madhe në udhëtim te Gjilani
Ka nisur java e 12-të e Superligës së Kosovës në futboll, aty ku Dukagjini e mposhti 2:1 në udhëtim Gjilanin.
Përballja mes skuadrave të pjesës së fundit të tabelës, rezultoi në fitore për ‘Hithat’ që drejtohen nga Ismet Munishi.
Të dy skuadrat nuk po kalojnë momente aspak të mira, pasi në 12 ndeshjet e para, më shumë ndeshje kanë humbur se që kanë fituar apo barazuar.
Takimi në fushën me bari sintetik në Gjilan, nisi në të mirë të mysafirëve.
Vetëm pas pesë minutash lojë, Mergim Pefqeli e çoi topin në rrjetë pas asistimit të Erlis Xhemajlit, për rezultatin 1:0.
Dukagjini deri në fund të pjesës së parë shënoi edhe një herë. Kësaj radhe për 2:0 shënoi Hekuran Berisha në minutën e 40-të.
Krejt çfarë gjilanasit arritën të bënin në këtë takim, ishte një gol nga penalltia.
Senad Jarovic ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 83-të, për të ngushtuar rezultatin në 2:1.
Me këtë rezultat përfundoi takimi dhe Dukagjini e arriti vetëm fitoren e katërt këtë sezon.
Skuadra që drejtohet nga Ismet Munishi tani ka 14 pikë, aq sa ka edhe Ferizaj n ë vendin e shtatë, teksa Gjilani zhvendoset në pozitën e parafundit, transmeton nacionale.

