Dy dashuritë e mëdha të Hasan Bunjakut

Osman Goranci

LAMTUMIRË MIKU IM HASAN BUNJAKU
/Doajen i gazetarisë nga Gjilani/

Sot u trishtova shumë nga lajmi për shuarjen e doajenit të gazetarisë, publicistit dhe kontribuesit të veçantë në jetën kulturore, jo vetëm të Gjilanit, Hasan Bunjaku.

Iku në përjetësi një koleg dhe mik i imi, i cili shumë herë ishte shtytës i rrugëtimit tim, por edhe i sukseseve, si në gazetari ashtu edhe në dramaturgji.

Ne sikur edhe me shumë gazetarë të tjerë, na ka lidhur dhe na ka bekuar e ndritshmja “RILINDJA”, pjesë e të cilës Hasani, ishte 50 vjetë e më parë, si korrespodent nga Gjilani, kurse unë nga fundi i viteve të 70-ta nga Prizreni.

Miku im i ndjerë, Hasan Bunjaku, i kishte dy dashuri: Gjilanin ku punoi dhe jetoi pjesën më të madhe të jetës, dhe Pizrenin ku në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar kreu ShLP “Xhevdet Doda”, ku gjatë kohës së studimeve, në skenën e Prizrenit luajti në dramën “Skëndërbeu”.

Viteve të fundit edhe pse në moshë dhe me disa probleme shëndetësore, nuk ishin të rralla vizitat dhe takimet me plot kënaqësi, me mikun tim në Prizrenin e lashtë.

Pusho i qetë dhe në Paqe, miku im i paharruar Hasan Bunjaku, në tokën e Kosovës së lirë, për të cilën aq shumë punove dhe e deshe.

Ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve të shumtë.