Dy dekada në shërbim të njerëzve me nevoja të veçanta

Kanë shkuar e kanë ardhur menaxherë e udhëheqës, janë ndërruar disa kryetar të Gjilanit, por Fatmir Shurdhani ka qenë aty.

Ka filluar para afro dy dekadash punën, në vitin 2002, në shoqatën që trajton njerëzit me nevoja te veçanta. Fillimisht si shofer. Në vitin 2006 si asistent menaxher, ndërkaq më vonë është emëruar menaxher i kësaj shoqate.

Ka parë me sytë e tij mijëra raste të rënda.

Në fillim e ka pasur shumë të vështirë. Shpesh thotë se ka qarë kur ka parë se me çfarë problemesh shëndetësore përballen këta persona.

“Kur i shihja rastet e rënda, shpesh më tradhtonin lotët. I pata bërë koxha do vjet, por nuk e kisha pasë as idenë se ka kaq shumë njerëz që janë me nevoja të veçanta”, thotë Shurdhani, për Mediafokus.info.

Me kalimin e kohës, ai është mishëruar me këta njerëz të vuajtur. Ka krijuar shoqëri me shumicën prej tyre. Disa kanë ndërruar jetë, e disa janë gjallë.

Për t’i harruar paksa problemet me shëndetin, thotë se muhabetet i kthen në humor e batuta.

“Zoti i ka lënë në karrocë, por ua ka dhënë mendjen. Janë njerëz që kanë aftësi të jashtëzakonshme. Bëjmë shumë hajgare mes veti. Nuk mund të rri pa i parë, e as ata mua”, rrëfen Fatmiri për Mediafokus.info.

Gjatë gati dy dekadave punë, ai tha se ka pasur vështirësi të mëdha financiare kjo organizatë. Ka punuar me pare e papare. Por, nuk ka hequr dorë kurrë.

Kur i fton krerët komunalë në debate aty, e dinë që ai s’mund të thotë veç lavdata. Gati asnjë debat nuk kalon pa kritika të rrepta.

“Krahasuar me fillimin, sot e kemi situatën shumë më mirë. E kemi objektin tonë dhe në vitet e fundit kemi pasur edhe përkrahjen e Komunës së Gjilanit, me mundësitë e tyre. Kur janë për t’i krikuar, hiç nuk pritoj”, ka thënë menaxheri i Handikos.

Ai thotë se ka akoma shumë punë për t’u bërë, duke filluar nga krijimi i qasjes në rrugë për personat me nevoja të veçanta e deri tek krijimi i qasje në institucionet publike.

“Shpresoj që të arrihet kjo sepse e kemi obligim t’iu krijojmë qarkullim të lirë këtyre njerëzve”, ka thënë Shurdhani.

Shoqata ka edhe klubin e basketbollit në karroca Drita, themelues dhe trajner i të cilit është vetë Shurdhani, i cili ka sjellë shumë kupa në Gjilan, duke u bërë kampion i gjashtëfishtë.

Keq nuk ia kanë lënë edhe në garat e atletikës, të cilët kanë ngritur shumë kupa.

Kur përmendet Handikos, asocimi i menjëhershëm është tek një njeri – Fatmir Shurdhani./MediaFokus/