Dy figura të fjalës dhe burrërisë

Në këtë foto po i shihni dy burra të shquar nga fshati Vërbicë e Zhegocit. Feriz (Sejdi) Aliu dhe Ismajl (Sefë) Sherifi, ishin dy personalitete të njohura të kohës.

Ferizi (majtas) ishte një tregtar kripe, të cilën e sillte nga Selaniku, ku bënte disa ditë rrugë me qerre. Si duket Feriz Aliun, fati i ecjes së rrugëve të gjata e kishte ndjekur edhe gjatë mobilizimit të dhunshëm në Luftës e Dytë Botërore. Ai, në frontin e luftës, më kushëririn Sefë Sherifi, kishin ecur këmbëzbathur gjithë Kosovën, deri në frontet e luftës në Dalmaci. Ferizi më së vështiri e kishte pasur kur nga atje solli orën e gjepit dhe lajmin e kobshëm për Sefën, i cili kishte mbetur në front si ushtar “vullnetar”.

Ismajli (djathtas) ishte burrë i urtë, i sinqertë, i ditur e i drejtë. Atë nuk e bënte të veçantë e të dashur në çdo rreth ku gjendej, vetëm pamja e jashtme, por edhe humori i tij i lehtë dhe i këndshëm dhe mbi të gjitha kontributi që ai dhe familja e tij kanë dhënë në çështjen kombëtare dhe proceset tjera nëpër të cila ka kaluar shoqëria kosovare, si para, ashtu edhe gjatë e pas luftës.

“Të dy këta ishin figura emblematike të fjalës dhe burrërisë”, thotë Habib Ferizi, djali i Ferizit dhe kushëriri i Ismajlit, i cili prej vitesh jeton jashtë vendit me familjen e tij. /Mediafokus.info