Dy lëvizjet e Kurtit për një ditë: Vendimi për mallrat serbe e rritja e pensioneve 20%

Mallrat serbe

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se ka hequr ndalesën për mallrat serbe, pas raportimeve se masa e sigurisë është ndërruar në “kontroll të detajuar” dhe atë vetëm në pikëkalimin kufitar të Merdares.

Kështu bërit të ditur vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të thirrur për të njoftuar për rritjene e të gjitha pensioneve për 20% për të gjitha kategoritë pensionale.

“Sot paradite ministri Sveçla i ka shkruar drejtorit të Doganave, që në njërën prej pikave kufitare me Serbinë, Kosova e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar. Derisa të na vijnë skanerët, kur të vijnë skanerët, ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, derisa të mos vinë do ta hapim një pikë kufitare, e cila do të ketë kontrollin e shtuar, pasi masat tona janë të sigurisë. Në 7 ditët në vijim kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme: pasnesër mbledhja e CEFTA-s, e sot një javë, samiti i procesit të Berlinit, e ku presim të kalohet nga Cefta në CRM, Tregu i Përbashkët Rajonal”.

Serbia e mirëpret

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr ndalesën për mallrat serbe në pikëkalimin kufitar kryesor në Merdare.

Vuçeviq që po qëndron në vizitë zyrtare të Maqedoni të Veriut, i tha RTS-së se ky vendim erdhi si pasojë e përpjekjeve gjermane.

“Gjëja më e rëndësishme tani është që serbët mund të pranojnë me rregull furnizimet ushqimore dhe ilaçet… Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë”, ka thënë Vuçeviq, siç e citoi Radio Evropa e Lirë.

Pensionet 20%

Vitin e kaluar kemi pasur rritje të ndjeshme të paprecedentë të pagave në sektorin publik…sivjet pensionet”.

Kështu e kompletoi mesazhin e vet sot kreu i qeverisë, Albin Kurti, teksa njoftoi për rritje të gjithëmbarshme të pensioneve prej 20%.

100 milionë euro implikimi buxhetor dhe mbi 304 mijë përfitues, tha Kurti dhe minstri i tij i financave, Hekuran Murati në një konferencë për media.

Rritja nis që nga ky muaj, ndërsa për ato të kategorive të luftës nga janari i vitit të ardhsëm – koincidentalisht një muaj para zgjedhjeve parlamentare.

Murati bëri të ditur se janë në program e përputhshmëri edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar me këtë rritje pensionale.

Nga 100 euro pension bazik i moshës, tash plus 20 euro; ndërsa ato kontributpaguese (1,2,3,4) variojnë në 36 euro, 39 euro, 42 euro, 53 euro.

Vendimi për rritjen e penisoneve 20%, nga opozita e akterë të tjerë publik u komentua si tentativë për zhvendosje të vëmendjes, pas vendimit për mallrat serbe.