Dy mjekë specializantë kryejnë një intervenim specifik në mushkëri në QKMF-në e Vitisë
Në Urgjencën e QKMF-së në Viti është kryer një intervenim specifik në mushkëri – PUNKSIONI PLEURAL, që përndryshe realiozhet vetëm në kushte spitalore.
Drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli ka thënë se Dr. Aid Shefkiu, ish-mjek i QKMF-së, tani specializant në Pulmologji dhe Dr. Valdrin Hetemi, mjek në urgjencën e këtushme primare, njëherësh edhe specializant ne Endokrinologji, së bashku me infermierët e urgjencës, kanë reaguar shpejt te gjendja e rënduar e një pacienti, për t`i larguar një sasi të lëngut nga mushkëritë.
Në kushtet e urgjencës primare në Viti, me ndihmën e ultrazërit dhe aspiratorit që posedon QKMF, është arritur që pacientit me efuzion pleural (lëng në mushkëri) t`i largohet thuajse një liter likuid serohemoragjik, duke ia lehtësuar frymëmarrjen.
“Ky intervenim i bërë nga mjekët vitias specializantë realizohet në kushte spitalore, prandaj Dr. Aid Shefkiu dhe Dr. Valdrin Hetemi na bënë krenarë me punën, përkushtimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar”, ka thënë dr Vjollca Kadolli, drejtoreshë e QKMF-së në Viti./Mediafokus