Dy të lënduar rëndë transferohen sot në spitalin e Zagrebit
10 persona mbetën të vdekur nga përplasja e një autobusi me mërgintarë kosovarë, dje në autostradën afër Slavonski Brod në Kroaci.
Nga 69 persona sa ishin gjithsej në autobusin që u aksidentua, dhjetëra prej tyre pësuan lëndime të rënda dhe janë duke u trajtuar në spital.
Media kroate INDEX, raporton se 42 persona janë dërguar në spitalin e Slavonski Brod, ndërsa dy të tjerë në spitalin e Novi Grad.
Një burrë i cili u shtrua fillimisht në spitalin e Novi Grad me një dëmtim të shtyllës kurrizore u transportua në Zagreb për trajtim të mëtejshëm.
Sipas informacioneve të mëtejshme, dy persona janë në njësinë e kujdesit intensiv dhe jeta e tyre është në rrezik. Ata do të transferohen sot në Zagreb.
Disa nga personat që patën lëndime të lehta, sot do të dalin nga spitali.
Një nga të vdekurit në aksident është njëri nga dy shoferët e autobusit me targa të Kosovës, i cili nuk ishte duke vozitur në momentin kur ndodhi aksidenti.
Për rastin tragjik, ka dhënë detaje policia e Kroacisë përmes një deklarate.
Shoferi i cili ishte pas timonit në kohën e aksidentit i tha policisë se e zuri gjumi për një moment.


