Dy të rinj humbin jetën në liqe ku ranë me makinë
Dy të rinj kanë humbur jetën në liqe, ku përfunduan me makinën e tyre. Erjon Muça, 22 vjeç dhe Dorina Gjokgjinaj, 20 vjeçe u mbytën në liqenin e Çekrezës.
Trupat e tyre të pajetë u nxorën këtë të premte rreth orës 10:45 nga forcat RENEA, raporton abc.news.al.
Alarmin për fundosjen e makinës e ngriti roja i rezervuarit rreth orës 07:20 të mëngjesit dhe që prej atëherë nisi puna për nxjerrjen e mjetit.
Por ajo që zbuluan zhytësit ishte tronditëse. Në sediljen e shoferit dhe të pasagjerit gjetën 22-vjeçarin dhe 20-vjeçaren të pajetë.
Deri më tani mbeten mister shkaqet se si ka rënë mjeti në rezervuar. Po ashtu e paqartë është koha se kur ka rënë makina në ujë.
Dyshimet e para janë se ngjarja ka qenë aksidendale dhe i riu mund të ketë humbur kontrollin e mjetit duke përfunduar në rezervuar.

