Dy vëllezër vdesin brenda 3 ditësh nga pandemia
Një dhembje të dyfishtë ka përjetuar familja Qafleshi nga Dragashi, ku brenda tri ditësh kanë humbur betejën me koronavirusin dy vëllezër.
Vëllëzërit Shemsedin dhe Avdurrahim Qafleshi nuk kanë arritur ta fitojnë këtë betejë, kështu që njëri ndërroi jetë në moshën 57- vjeçe, kurse tjetri në të 60-at. Të dy ishin duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Lidhur me rastin gazeta express ka kontaktuar me kryetarin e Dragashit, Shaban Shabani, i cili tha se vdekja e vëllëzërve Qafleshi është humbje e madhe.
“Para 3 ditësh ka ndërruar jetë njëri prej vëllëzërve, tani pas dy ditësh vëllai tjetër. Ata kanë qenë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, fatkeqësisht nuk e kanë përballu luftën me koronavirusin”, tha Shabani.
Tutje ai shtoi se gjendja me koronavirusin në komunën që udhëheq është stabile dhe po bëhet gjithçka për tejkalimin e kësaj situate.
Ndërkohë, komuna e Dragashit i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Qafleshi, me rastin e ndarjes nga jeta të dy vëllezërve.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, numri total i rasteve pozitive është 15,938 raste nga 71,865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.

