Dyshime “të forta” për përfshirjen në korrupsion të Mogherinit
Mëngjesin e së martës, policia belge kreu bastisje në zyrat e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Europian (EEAS), organi diplomatik i BE-së, në kuadër të një hetimi për mashtrim. Në të njëjtën operacion u kontrolluan edhe ambientet e Kolegjit të Evropës në Bruges, institucion që përfiton fonde nga institucionet e BE-së, raportoi Euronews.
Autoritetet belge kryen gjithashtu kërkime në banesa private në Belgjikë, ndërsa tre persona u ndaluan. Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Europian (EPPO), bastisjet u kërkuan në kuadër të një hetimi për dyshime për mashtrim të lidhur me një projekt trajnimi të financuar nga BE-ja për diplomatët e rinj.
Në një deklaratë, EPPO tha se hetimi lidhet me Akademinë Diplomatike të Bashkimit Europian, një trajnim nëntëmujor për diplomatët e rinj, i cili iu dha Kolegjit të Evropës përmes një tenderi të BE-së gjatë viteve 2021–2022. Autoritetet po verifikojnë nëse EEAS ka shkelur rregullat e tenderimit duke ndarë informacione me Kolegjit para se projekti të jepej zyrtarisht.
“Ne mund të konfirmojmë se policia ishte sot në godinën e EEAS,” tha një zëdhënës i BE-së të martën, duke saktësuar se hetimi lidhet me veprimtari që kanë ndodhur “në mandatin e mëparshëm.” Ai nuk pranoi të komentojë nëse tre të ndaluarit janë zyrtarë të BE-së.
Rektore e Kolegjit të Evropës është aktualisht Federica Mogherini, e cila drejtoi EEAS-in nga viti 2014 deri në 2019. Pas saj erdhën Josep Borrell dhe, që prej dhjetorit 2024, Kaja Kallas.
Në deklaratën e saj, EPPO theksoi se ka “dyshime të forta” se rregullat e BE-së për “konkurrencë të ndershme” janë shkelur dhe se “informacion konfidencial lidhur me prokurimin në zhvillim iu është dhënë njërit prej kandidatëve.” Sipas EPPO-s, faktet “mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.” Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje penale.

