Dyshimet për manipulime: KQZ-ja nuk e certifikon motrën e Donika Kadajt në listën boshnjake VAKAT
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar motrën e Donika Kadajt-Bujupit, që kishte kandiduar me listën e koalicionit VAKAT.
Kjo erdhi pas një debati të ashpër në KQZ.
Aty anëtari boshnjak akuzoi se ka pasur falsifikime e manipulime, me qëllim që Ena Krasniqi, motra e Donika Kadajt, edhe pse vazhdimisht e ka deklaruar veten shqiptare, për arsye politike është deklaruar boshjake.
Si rezultat, lista e koalicionit VAKAT u certifikua pa emrin e Ena Krasniqit.
Skandalin e bënë më të madh fakti që vetë Ena Krasniqi, në vitin 2009, kishte qenë pjesë e listës së AAK-së në Istog.
Duda Balje akuzoi se kjo është pjesë e një plani, për ta larguar atë nga Kuvendi.
Deputetja Duda Balje ka ngritur alarmin për një komplot të pushtetit.
Ajo ditë më parë theksoi se motra e Donika Kadaj-Bujupit, Ena Kadaj-Krasniqi, ka kandiduar për deputete me Koalicion Vakat, partinë rivale të Baljes.

