E fiton gjyqin ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi
12 vjet ka qenë pritja e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, për të vënë drejtësi lidhur me shkarkimin e tij nga kjo pozitë në vitin 2011, shkruan Gazeta Nacionale.
Shteti do t’ia kompensojë Reshat Maliqit rreth 15 mijë euro, si pasojë e shkarkimit të vitit 2011 që ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.
Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin e gjykatës së shkallës së parë që ishte marrë në vitin 2020, dhe gjithashtu vendimin e Gjykatës së Apelit që u mor në nëntorin e vitit të kaluar.
Vendimet janë siguruar nga avokati i Reshat Maliqit, Berat Tmava, i cili e ka mbrojtur ish-drejtorin e Policisë në këtë sagë me drejtësinë.
Gjykata ka vërtetuar se me shkarkimin e Maliqit, janë shkelur dispozitat ligjore.
Zvarritja nëpër procedura gjyqësore e këtij rasti ka shkuar më shumë se një dekadë.
Megjithatë, një vendim në shkallën e parë u mor para dy vitesh. Aty u konstatua se Qeveria ka shkelur ligjin, dhe është e obliguar ta kryejë kompensimin monetar.
Deri te ky vendim erdhi pasi paraprakisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte gjetur se shkarkimi i Reshat Maliqit ishte i paligjshëm.
Maliqi ishte shkarkuar në kohën kur qeveria kishte ndërmarrë aksionin për marrjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31 në veriun e vendit.
Megjithatë, Reshat Maliqi aso kohe, kishte deklaruar se nuk e kishte kundërshtuar këtë aksion.
