E frikshme: Kush dhunon prindërit nuk i shpëton mallkimit të Zotit

Dhuna në familje po shënon përmasa të frikshme, jo për faktin se është rritur aq shumë niveli i saj, por për arsye se ajo po shtrihet në raporte që janë konsideruar të shenjta deri vonë.

Rrahja e gruas dhe fëmijëve, ndonëse e pa justifikueshme gjithmonë, është një histori e vjetër në familjet patriarkale, ku burri kujdesej për “terbije” në shtëpi.

Dhuna ndaj prindërve, konsiderohet vepër e dënueshme edhe nga aspekti fetar.

Por, të ngriturit e dorës mbi nënë e babë, është diçka që nuk ka ndodhur më herët, ose ka mundur të ketë ndonjë rast të izoluar, ku kanë mbizotëruar probleme të shëndetit mendor.

Lajmet e kësaj jave mbajnë titujt: “Gjakovari e bën për spital nënën duke e rrahur”, “Vajza e rrah babanë e saj në Gjilan”, “Vëllai e rreh vëllanë në Prizren”.

Në Gjakovë, është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ai, pas një mosmarrëveshje  e ka sulmuar fizikisht nënën. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në Prizren, viktima mashkull raporton se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt, thuhet në njoftim të policisë.

Në Gjilan, policia ka arrestuar një femër, pasi ka sulmuar babanë e saj. Viktima ka pranuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara dërgohet në mbajtje, ka njoftuar policia.

Në Gjilan, rasti tjetër, ishte edhe më i rëndë. Vajza vrau babë e nënë, bashkë me vëllezër.

Këto raste janë një alarm i madh për njerëzimin. Fëmijët po ngrehin dorë mbi prindër.

Nga aspekti fetar, dhunimi i prindërve konsiderohet ndër mëkatet më të rënda.

Imami Agim Hyseni thotë se përkujdesja ndaj prindërve është obligim fetar. Kjo është e vërtetuar me ajete kuranore dhe hadithe profetike.

Kur është pyetur i dërguari i Allahut se cila është puna më fisnike, me të cilën e fitojmë xhenetin, ai është përgjigjur: “përkujdesja ndaj prindërve”.

Sipas kësaj porosie, nëse sillemi keq me prindërit tanë, kemi bërë një gjynah të madh, me të cilin meritojmë mallkimin e Allahut dhe të të dërguarit të tij, thotë sekretari i KBI më Gjilan, Agim Hyseni./mediafokus.info