E kërcënuan gazetarin, Gjykata do të lëshojë urdhër-arrest për dy mërgimtarë
Me kërkesë të të dëmtuarit-kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Fitim Selmani dhe Blerim Haradinaj akuzohen për kanosje ndaj Rexhës.
Ky i fundit, kërkesën për shtyrje të seancës e ka bërë për shkak se është i angazhuar në ceremoninë e ndarjes së Ҫmimeve Vjetore të Gazetarisë 2025.
Ndërkaq siç raporton “Betimi për drejtësi”, në këtë seancë, munguan edhe dy të akuzuarit.
Për të akuzuarin Selmani, gjykatësja e rastit Valbona Përlaska, tha se ka lëshuar urdhëresë për verifikim të adrese, por Policia e Kosovës është njoftuar nga fqinji i tij se ai jeton në Suedi. Ndërsa, për të akuzuarin Haradinaj, gjykatësja tha se janë njoftuar nga Policia e Kosovës se ai gjendet në Zvicër. Gjykatësja Përlaska, tha se ndaj të akuzuarve do të lëshojë urdhër arrest, ndërsa seanca u shty në kohë të pacaktuar.
Ndryshe, edhe seanca e 19 nëntorit 2025, kishte dështuar të mbahej në mungesë të dy të akuzuarve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 tetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt, të cilët akuzohen se përmes komenteve në rrjetin social Facebook, gjatë periudhës kohore maj-qershor 2025, kanë kanosur gazetarin dhe kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha.

