E kujton gjyshen pas 38 vitesh, plot mall e dhembje

Veprimtari Bejtullah Tahiri nga Malisheva e Gjilanit e ka rikujtuar gjyshen e tij në 38 vjetorin e vdekjes, duke shpjeguar gjithë vështirësitë e jetës së saj, që ishte një jetë plot sfida e dhimbje.

Ky është postimi i Bejtullah Tahirit për gjyshen, që ai e quan Nana Razë.

Shumë kujtime të bukura kam për gjyshen time të dashur. Shumë më dhimbset sepse përjetoi jetë të vështirë.

Paramendoni sa e rëndë është me t‘u vra e tërë familja, me mbet pa prindër, vëllezër, motra, pa vendlindje.

Të mbetesh pa familje, pa shtëpi, pa asgjë dhe të mbetesh sërish me mend në kokë.

Sa e vështirë, sa e rëndë.

S‘ka si ta përshkruaj njeriu këtë tragjedi familjare që nuk i ndodhi vetëm gjyshes time, por mijëra familjeve që pas shumë dekadash u kuptua realiteti i asaj masakre në Lubizhdë të Vitisë e shumë vende tjera shqiptare.

Kështu ndodhi edhe masakra e familjes Jasharajve, kështu ndodhi masakra e Reçakut, Qirezit, Krushës por që dallimi i këtyre masakrave të fundit ishte se u publikuan përmes internetit dhe mori vesh e tërë bota.

Masakrat e mëparshme i mbuloi historia dhe akoma saktë nuk dihen si ndodhen dhe ku mbetën eshtrat e tyre.

Këtë masakër të Lubizhdës përjetoi Gjyshja ime Razia.

Ajo përjetoi edhe vrasjen pa gjyq të burrit Hajdar Tahirit, gjyshit tim që kurrë fotografi nuk i pashë.

Unë çuditem me Gjyshen Razë. Ku e mori gjithë atë fuqi për t‘i përballuar gjithë atyre vështirësive.

Ku e mori gjithë atë dashuri që na dha neve. Si mundi ta përballojë atë jetë të vështirë pa u vërejt asnjë lloj traume në shpirtin e saj.

Përkundrazi, ajo në vend se të ishte e rëndë, e vrazhdë, ishte e dashur e ëmbël e qetë.

Me lindjen e dy djemve, babin tim Ilmiun dhe axhën Mulla Ramadanin, ajo filloi ta gëzoi lumturinë e jetës së saj.

Me rritjen e tre jetimëve të kunatit Azizit, ajo gjithashtu gjente prehje të mungesës së familjes dhe i rriti e u përkujdes për ta si për fëmijët e saj, sa që ata të gjithë e thërrisnin Nënë.

Ndërsa kur ju shtua familja me nipër e mbesa, atë s‘kishte vështirësi ta mposhte.

Sa shumë na dha dashuri moj Nëna Razë.

Sa shumë vuajta që nuk qëllova pranë teje kur t`i shkove në atë botë edhe me mallin tim.

E di se ti atëherë e dije se ata që ta vranë familjen, ata që të vranë burrin, ishin të njëjtit që na burgosen mua e Abdullahun e më vonë Abdullahun e vranë tinëz.

Po, ajo vrasje u zbulua e ai u bë kurban i Republikës së Kosovës që atëherë të thoshim edhe unë, e edhe Abdullahu se do ta bëjmë.

Pusho e qetë Nena jonë e madhe, Nëna Razie.

Ne jemi krenarë që të patëm të tillë dhe gjithmonë do jetojmë me dashurinë tënde që na dhurove nga zemra jote e shumëvuajtur.

Edhe pse kane kaluar 38 vjet nga vdekja jote, për jetë do jesh në zemrat tona./mediafokus.info