Ky ishte fituesi i parë i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Çmimin e parë letrar “Beqir Musliu” të themeluar nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në shenjë kujtimi e nderimi të shkrimtarit më të madh deri tani të vendlindjes, e ka fituar poeti Ali Podrimja, në 60-vjetorin e lindjes.

Vendimi ishte marrë nga një komision letrar në përbërje: Ramadan Mehmeti, Sabit Rrustemi dhe Haxhi Vokshi.

Sabit Rrustemi, krijues nga Gjilani, ideator i themelimit të këtij çmimi letrar, ka thënë se Podrimja është emblemë dhe letërnjoftim i poezisë shqipe në botë.

Podrimja ka dëshmuar vlerë letrare, nivel artistik, njohje dhe depërtim të thellë në shpirtin shqiptar.

Duke  e marrë çmimin me emrin e shkrimtarit gjilanas Beqir Musliu, poeti nga Gjakova, Ali Podrimja tha se ky është një nder për mua, sepse çmimi mban emrin e njërit nga miqtë e mi më të mirë.

Dyzet vite rresht krijimtari, nuk është një punë e lehtë, aq më vështirë ishte kjo për krijuesit kosovarë, të cilët për më shumë se një dekadë ishin jashtë rrjedhave normale të kohës.

Nga miqtë e tij, Ali Podrimja është vlerësuar si koka më poetike e Kosovës.

Podrimja e ka shpalosë fuqishëm përmasën tragjike të realitetit shqiptar. Ai ishte origjinal dhe i përsosur në artin e tij poetik. Ishte një mjeshtër brilant i gdhendjes së vargut.

Poezia e tij është personifikim i ekzistencës, fatit dhe identitetit të qenies shqiptare, përballë situatave absurde dhe paradoksale të kohës.

Ai cilësohet si njëri nga poetët më të mëdhenj shqiptar. Për dyzet vite krijimtari, ka arritur të ndërtojë një opus letrar për respekt, me vlerë dhe me peshë.

Pa poezinë e tij, letërsia shqipe do të ishte shumë më e varfër dhe kultura shqiptare tepër më e zbrazët.

Nga kritika, Ali Podrimja është vlerësuar si poet i reaksioneve të forta, i rebelimit dhe i angazhimit konkret.

Podrimja është një poet i pranuar në gjithë hapësirat shqiptare dhe një lloj metafore e poezisë shqipe.