E morëm nusën pa ceremoni festive në nderim të Jasharajve
Shkruan: Qahil Halili
Ne, Familja e Ali Halilit, lagjja e Sylëvitëve nga Zhegra e Gjilanit, për çdo 5 mars, e kujtojmë edhe dasmën e vitit 1998 kur aga Ali martonte djalin e tij Emrushin me Adelinën nga Kamenica.
Me miqtë e rinj nga Kamenica kishim ndarë vaden. Kishim ftuar miq e dashamirë për dasmë, madje dhe restorantin e kishim rezervuar në Gjilan si dhe kishim ftuar këngëtarë të njohur atë kohë, Mahmut Feratin, Nazmije Dushullovcin si dhe anëtarë të ansamblit “Bajram Curri” nga Prishtina, Afrim e Gëzim Sadikun…
Por, me të marrë lajmin për luftën titanike të Familjes Jashari nga Prekazi si dhe rënien e tyre heroike për lirinë e Kosovës, në shenjë nderimi për të rënët, anuluam tërësisht pjesën festive të dasmës, ceremoninë në restoranin e paraparë në Gjilan si dhe pjesën muzikore.
Nusen, sipas traditës, do duhej ta merrnim se nuk bënte ndryshe. I nisëm vetëm veturat e domosdoshme (10) si dhe me flamur kombëtar e pa zhurmë sirenash, e sollëm nusen në shtëpi.
Këngëtarët, miqtë dhe gjithë të ftuarit treguan mirëkuptim dhe iu bashkangjitën nderimit të të rënëve në Prekaz.
Ne, edhe sot pas 21 vitesh, sa herë i kujtojmë dhe nderojmë të rënët në Prekaz, e kemi të pamundur të mos e kujtojmë edhe këtë ngjarje familjare, mbase e para në Kosovë që iu bashkua dhembjes kombëtare për familjen e Shaban Jasharit si dhe të rënëve tjerë, në luftën e pabarabartë me forcat pushtuese serbe./Enkas për Mediafokus.info/
(Në foton e poshtme, autori i shkrimit – Qahil Halili)

(Sot, qifti Adelina&Emrushi kanë tre fëmijë. Ja foto)


