E pa dëgjuar ndonjëherë: Policia arreston sulmuesin gjatë ndeshjes
Një situatë e pa dëgjuar ka ndodhur në stadiumin “Bashkim Sulejmani” të Kuçovës, ku po luhej ndeshja Naftëtari – Flamurtari, e vlefshme për javën e pestë të Kategorisë së Dytë, grupi B.
Në pjesën e dytë, vlonjatët udhëhiqnin me rezultatin 0-1 dhe tifozët e Naftëtarit nisën të kritikonin lojtarët e tyre për lojën e dobët.
Në tribunë ishte edhe babai i një prej futbollistëve të ekipit të Kuçovës, i cili ishte edhe protagonisti i një ngjarje të acaruar.
Fillimisht babai i sulmuesit Samuel Vrapi, kundërshtoi ofendimet ndaj të birit duke nisur të debatonte me një prej tifozëve.
Sapo pa të atin të konfliktohej, sulmuesi Vrapi shkoi drejt tribunës duke kërcënuar tifozin, duke detyruar arbitrin t’i tregonte kartonin e kuq, me policinë që tentoi të qetësonte situatën.
Situata u acarua më tej dhe efektivët e policisë shoqëruan për në komisariat sulmuesin, të atin dhe tifozin e konfliktuar.
Me dhjetë lojtarë dhe tensione në ekipin e Kuçovës, Flamurtari fitoi lehtësisht 0-3.

