“E para punë edhe ma e mira asht mos me rrejtë, m’u kanë besnik edhe i sinqert”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata; se e mban mend fshatin me 25 shtëpi që tash numëron 85 sosh… apo se e mban mend ”kohën e turkit”, “… t’kralit”, ” … t’bugarit”, “të ‘talianit” apo “kohën e Rankoviqit” e “kohën e komunistit”, po edhe vlimet e tjera brenda kësaj periudhe si “të 68-tën”, “81-shin” e për të 90-tat dhe luftën e fundit të Kosovës për çlirim, lufta e fundit…
Muharrem Sylejmani (1921) nga Cërrnica është njëri nga këta personazhe që kanë shkelur shekullin.
Jam shumë i nderuar që pata mundësinë ta bëj një bisedë me mixhën Muharrem që na priti si e ka traditë shiptari. Mbeta i mahnitur me përkujdesin që e kishte nga familja e tij.
Nëse dikujt ia kisha pasur lakmi për kthejlltësinë e mendjes atëherë Ai do të ishte pa pikë dyshimi mixha Muharrem.
Në moshën 98 vjeçare nuk e kishte harrua asnjë datë, por aq qartë dhe në detaje i tregonte ngjarjet, sa që më la gojë hapur.
Bisedën e filluam me pyetjen:
“Mixha Muharrem, a di të më tregosh ndonjë fshehtësi për moshën tënde”.
Ai mu përgjegj: “S’kam nî që dikush n’Cërrnicë ka jetue sa unë, po kto janë taksimet e Allahut; na s’mujmë m’i mdrrue veç sa ka thanë Ai (Allahu) se as ma shum as ma pak s’jetojmë. Po nashta buka e kallamojtë um ka nimue me jetue qekaq; kohën e fundit edhe mjaltën p’e përdori e krejt kto e kanë ba t’veten. Unë jam kanë fmija ma i madh, baba ish kanë martue i ri; 20 vjet i kam pasë dallim me babën, bile ka ni herë bojsha hajgare me të. I thojsha pritum edhe pak e e lëshojmë mjekrrën bashkë të tre: na dy edhe mulla Ramizi, i cili që u kanë mixha jem, kur e tregoi një foto të viti 1968 së bashku me hoxhën e nerum nga kto anë. Baba m’ka dekë në janar të vitit 1982, e maj men si sot s’kishke as një pikë borë, bile u çojke pluhun kur vishin n’tpame. Nana m’ka pas dekë kur u dridh Shkupi, më 26 korrik të vitit 1963”.
Mixha Muharrem na tregoi edhe një tregim për Shytin e Pozheranit: “I kishin pas thanë shokt Shytit t’Pozheranit, bane ni darkë t’mirë, preje nji dash, ndash me ta hekë emin SHYT. Shyti e ban darkën shoqnija e han darkën edhe i vet Shyti: A ma heket emnin? Shoqnija i thojnë: o Ti Shyt je kanë edhe Shyt je metë”, sepse nuk ju kish qitë kafe, as para e as pas buke.
Si e mban mend fshatin e tij mixha Muharrem tregon; “Unë e kam mrri mahallën e Smakiqve me 17 shpi, a krejt Cerrnicën nuk e di sa i ka pasë, po shum ma e vogël se tash po”.
Nga biseda me mixhën Muharrem mësova shumë gjëra interesante nga tregimet e tij në vazhdim: “Kohnat nuk mujnë m’u krahasue, ka qaq shum dallim koha e sodit me atë t’ktynihere, sa Visoqa me rrafsh, që hiç s’mujnë m’u krahasue. Unë jam shkue ushtar më 16 nanduer 1944. Ni far Svetimiri na shkrujke, û kanë Cërrnagor, edhe e kam la ushtrinë më 9 shtator 1946. Jam kanë edhe ushtar i Shaban Polluzhës, jam kanë në batalionin e Raif Halimit në Drenicë, luftojshim shum, po u rujshum dy partë mos m’u vra ani se ishke luftë. Raifi ish kanë marrë vesh me Isuf Kikën m’i sulmue shkiet edhe qaty në lagjen e Jasharve. I sulmum në shtab edhe e kemi pasë vra tanë shtabin e tyne, 9 veta janë kanë; u vranë edhe disa tantë, po atyne shtabin jav shfarosum, edhe pi atyhit ju bashkum Shaban Polluzhës nja dy muj, po e tradhtun e edhe Ata”.
Mixha Muharrem vazhdon edhe më tej; “Ktu në Kosovë ka pasë ushtarë t’Shypnisë deri në 1947; qatëherë Tita i ka thanë Enverit çoje ushtrinë në Shipni se Greki po don me të ra se për Kosovën mos ki dert; kemi me da e me ta dhanë. Kur i çoi Enveri ushtart atje ky, kha ja qiti kufiinin, a kshtu Shiptart i kish mashtrue se gjermani s’po del pi Zagrebit e i nisë për luftë atje edhe qeshtu me dallavere Kosovën s’ja jep Shipnisë, shiptart, siç e dini edhe ju, i çon e i mytë do n’Tivar, do udhës kanë pasë shkue deri në Zarë shiptart me luftu. Gjithmonë mixhës na kanë tradhtue, na tu ju zanë besë, ata tradhto sa kanë mujt. Nga krejt kto ngjarje ni sen e kam kuptue që shka t’mirë s’ka edhe me ju zanë besë s’ban kurrë”.
Për kohën e Rankoviqit thotë: “Û kanë shum kohë e shtirë, na kanë mundue shum për armë, njerzit i kanë mytë tu i rrehë; ka pi atyne që kanë dekë pi dajakit, jav kanë prishë edhe mushknitë tu i rrehë. Thojshin që kishe Tita nuk e ka ditë, po kto janë kanë veç rrena, qys s’e ka ditë Ai; û kanë kryetar i shtetit. Tita ish kanë dy ftyrsh: tjetër sen ka thanë, tjetër sen kaba. Veç Arabt i ka pasë mjelë mirë; edhe sot si duket bojnë be n’kry t’Titës. Masi diq Tita krejt Jugosllavija ja kanë sha edhe vorrin po vonë ma, Ai e shfrytzoi sa mujti, po neve ma së shumti na ka marrë n’qafë”.
Mixha Muharrem na tregon edhe për kohën sa ishte n’punë t’shteti: “Masi e lajta ushtrinë, më 1949 nisa me punue n’manapoll n’kombinat t’duhanit deri në vitin 1975, kur dola n’penzi. Kam hecë shum në gjithë Anamoravën po ni njeri duhna me përmen s’kam pa kurrë ma njeri t’mirë edhe ma ekonomist se Fevzi Hoxha, rahmet shpirit i pastë; me ta kam punue shum; û kanë shum njeri i mirë edhe i drejtë. Mos harroni tash koha ka ndryshue; kush sa ka e punon tokën, ose pak krejt p’e punojnë; përpara s’ka pasë asnji pllamë e tokës pa punue, bile nuk na dilke; shum njerëz e çelshin malin e bojshin ara. Kjo anë û kanë e njofshme për punimin e duhanit, sidomos për çato edhe e kanë pas marue kombinatin e duhanit n’Gillan. Kanë majtë njerzit familje, po edhe janë pasunue me duhan, po edhe me bujqësi në tansi ka familje që janë pasunue. Tash njerzit tu u ankue s’ka fitim pi punës në bujqësi kush s’e punon tokën a p’e shifni kejt arat shterrpë, pa punue, kshtu s’shkon; ka fitim pi secilës punë që e punon pa hile e me zemer. Katunit nuk i ka hije m’i metë toka pa punue, asht gjynah pi tokës m’e lanë pa punue, po tash qashty po jav merr mendja, ishalla ju shkon, po nuk e besoj”.
Duke pasë parasysh moshën e mixhës Muharrem, edhe kthjelltësinë që kishte, ish mëkat që televizionet tona të mos realizojnë një dokumentar me të, sepse ishte histori e gjallë dhe me kujtesë të pa besueshme dhe siç tha edhe vetë: “Faleminderit pi t’madhit Allah s’kam asnji dhimtë, kun s’um dhem; mirë jam siç asht ma së miri po me kshyrin qysh asht ma së miri; s’kam as shka me lypë ma shum”.
Si porosi për fund mixha Muharrem tha; “E para punë edhe ma e mira asht mos me rrejtë, m’u kanë besnik edhe i sinqert.
Përpara kur ka lindë djali kanë thanë: I besoftë pazari, se û kanë shum me randsi mos me rrejtë edhe m’i besue njerizit” (Cërrnicë, 30 Gusht 2018)
/Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.

