“E pse mami është në shkollë e unë jo?”

Shkruan: Gresa Avdiu

Hira e Diara ka kohë që janë bërë gati për këtë ditë. Ato, në një shtet normal e situatë normale, sot do duhej të fillonin klasën e parë. Me çantën e mbushur fletore, lapsa e ngjyra, e me dëshirën e madhe që sot ta kenë në dorë abetaren e tyre, që është abetare e përbashkët për dy shtetet tona(🇦🇱🇽🇰), ato, madhështinë e kësaj dite e pritën në shtëpi, para TV.

“Wow, abetarjaaaa…”, ishte reagimi i tyre kur panë librin që e duan aq shumë.

E pastaj vazhduan pyetjet:

“A kemi me shku në shkollë sot, a kanë tregu në lajme?!

“E mësuesja ime kush është?!”

“A ka shumë shokë e shoqe në klasë?!”

“E pse mami është në shkollë e unë jo?!”

“Unë dhe Hira ulemi me një bankë se jemi shoqe t’ngushta”- përfundoi biseda e Diares rreth kësaj dite të veçantë për të e për gjithë ne.

Derisa i shikoja aq zemërthyer, lutesha shumë që sa më shpejtë të ulen të dialogojnë Qeveria dhe SBAShK-u. Për këta fëmijë, për prindërit e tyre, për të ardhmen e vendit tonë.

Do ju mbajnë mend të gjithë, por ata/ato që sot do uleshin për herë të parë në banka shkollore, nuk do ua falin kurrë.

Andaj, kryeministër, ftoje SBASHK-un e gjejeni zgjidhjen në përputhje me kërkesat e tyre. Mos harro, nuk mund ta trajtosh kuletën e shtetit sikur të ishte kuleta jote!

Trajtoje prioritet mbi prioritetet Ligjin e Pagave!

Na e terrove në mes të verës e po ta bëjmë hallall, por, mos na terro të ardhmen e ndritur të të vegjëlve e të rinjve tanë, sepse do të mallkojë besimi i qytetarëve të këtij vendi. Kërkesa e tyre legjitime në këtë situatë të rëndë nuk duhet përdoret për shakatë e tua.

Ndërkaq, unë si anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, me pagë edhe njëherë më të vogël se paga e mësuesit, dhe nëna ime (si mësuese), po ta falim për pezullimin e pagës, kjo falë të ardhurave që kemi nga puna e palodhshme e babait e vëllaut, por ai mësues e ajo mësuese që ka studentë e nxënës në shtëpi, dhe të vetmin burim për t’i ushqyer e shkolluar ata e ka këtë pagë, po të sheh me dëshpërimin më të madh të mundshëm. Nuk kanë me ta falë kurrë!