E rëndë, 65-vjeçari bie nga ura dhe ndërron jetë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Shkodër, ku mësohet se një person i identifikuar si Luigj Marku ka ndërruar jetë pasi ka rënë në një kanal uji.

Bëhet me dije se 65-vjeçari nga Jubani në Gurin e Zi ka rënë nga ura në ujë, në rrugën e fshatit Vukatane.

Marku ishte nisur për të shitur disa produkte bujqësore në Shkodër por papritur teksa udhëtonte me biçikletë ka rënë në kanalin e ujit në anë të rrugës duke ndërruar jetë.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, ambulanca dhe zjarrfikëset për të nxjerrë trupin e pajetë dhe për ta transportuar drejt morgut të spitalit rajonal të Shkodrës.

Policia po bën hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.