E rëndë: Një person gjendet pa shenja jete në Prishtinë, dyshohet për vetëvrasje
Një person është gjetur pa shenja jete në lagjen “Emshir” të Prishtinës, sot rreth orës 12:00 brenda një veture.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, i cili tha se mbështetur në informacionet e para ka elemente të vetëvrasjes, mirëpo rasti po vazhdon të hetohet që të sqarohet në tërësi.
Poashtu, Borovci tha se viktima është mashkull i moshës 50-vjeçare, vdekjen e të cilit e kanë konstatuar mjekët emergjent.
“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë, në një veturë në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 50 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, tha Borovci për Express.


 
 
 
						 
						