E rikujton vëllain i cili lindi dhe vdiq në të njëjtën datë
Publicisti dhe krijuesi Daut Maliqi e ka rikujtuar vëllain e tij, Abdullah Maliqi (1926-1945), i cili lindi dhe vdiq në të njëjtën ditë, më 6 janar, shkruan Mediafokus.info
“Babai im i ndjerë, Asllan Maliqi, duke qenë arsimdashës e kishte dërguar vëllain tim të madh Abdullahun në shkollën fillore në gjuhën serbe në Gjilan, sepse asokohe nuk kishte shkolla shqipe, të cilën e kishte kryer me sukses të shkëlqyeshëm, në vitin 1939/1940.
Krahas mësimeve në shkollë, ai kishte vazhduar pasdite edhe mësimet në një mejtep të Gjilanit, ku mësoi të lexojë arabisht që nga libri i parë – Suparja deri të Ku’rani dhe ishte shembullor në mësime e disiplinë.
Pas kryerjes së shkollës fillore, regjistrohet në vitin shkollor 1940/41 në Medresenë e Gjilanit të cilën e vazhdoi 3 vjet
Abdullahu, në mejtep, në medrese dhe gjatë qëndrimit në Gjilan, të daja i tij Rexha, disa vjet, dhe shoqërimit me shokë përvetësoi një fond bukur të madh të gjuhës turke.
Edhe pse në moshë shumë të re, ai përveç gjuhës shqipe e serbe, që i zotëronte mirë, ishte në gjendje që të komunikonte edhe në gjuhën turke e italiane.
Shokët dhe mësimdhënësit e quanin krijesë të rrallë e gjeni. Ishte vërtet një erudit, intelektual i mirëfilltë.
Në medresenë e Gjilanit, pos të tjerëve ishte nxënës i Mulla Idriz Gjilanit. Aty u pajis me ide atdhetare.
Por fatkeqësisht, një sëmundje e rëndë e ndau nga mësimi dhe nga idealet e tij liridashëse e kombëtare.
Vdiq në ditëlindjen e nëntëmbëdhjetë, më 6 janar 1945″, shkruan vëllai Dauti. /Mediafokus.info

