E shiti shtëpinë pa e ditur se po linte mbrapa edhe një qyp me lira
Ka rreth 70 vite që Faruk Mustafa është shpërngulur në Turqi. Atje, ai është njëri ndër 35 milionë banorët e Turqisë që kanë origjinë nga vendet e Ballkanit. Një numër i madh prej tyre, janë nga Kosova, Maqedonia dhe trevat tjera të ish-Jugosllavisë.
Në Gjilan, Faruku i përkiste familjes së madhe, të pasur dhe të njohur turke për kohën, Novobërdali.
Kur flet për Gjilanin dhe vitet e fëmijërisë, nuk i përmban dot lotët.
Një fakt, rastësisht, ose jo, është interesant si në rrugëtimin jetësor të Farukut, momentet më të rëndësishme lidhen me numrin 6.
Ai ka lindur në vitin 1936. Në fund të vitit 1956 është shpërngulur në Turqi. Për herë të parë është kthyer për vizitë në Kosovë, në vitin 1996.
Thotë se në Gjilan ka gjetur pak nga ajo që kishte lënë në vitet e gjashtëdhjeta.
“Qytetin që kam lënë, nuk e gjeta më. Ka ndryshuar gjithçka”.
Ndihet i lumtur që të paktën disa nga shokët e gjeneratës janë ende gjallë dhe mund t`i takojë e rikujtojë me ta kohët e largëta.
Faruku ka miq edhe te brezat më të rinj në Gjilan, ku tanimë nuk jeton askush nga familja e tij.
Ata janë shpërngulur herët në Preshevë, Shkup e Turqi, ku Jelmen ka kaluar pjesën më të gjatë të jetës së tij dhe atje ku po kalon edhe ditët e pleqërisë.
Nostalgji të veçantë ka për këngët shqipe, aq sa nuk i mban lotët kur i kujtohen vargjet e disave prej tyre.
Në Gjilan nuk kishte ardhur për njëzet vjet, jo pse nuk kishte dëshirë, por e dinte se kur të kthehej mbrapa, duhet të merrte me vete një mal mërzish për vendlindjen dhe njerëzit e saj.
“Malli dhe mërzia janë pesha më e rëndë për njeriun”, thotë ai.
Familja Mustafa ia kishte shitur shtëpinë një serbi në Gjilan. Nga fqinjët kishte dëgjuar më vonë se serbi e kishte gjetur në shtëpinë e tyre një qyp me lira.
Faruku beson se lirat kanë qenë të babait të tij, i cili kishte vdekur dy muaj para se të hynte partizani në Gjilan (1944) dhe me siguri nuk kishte arritur t`ia tregonte të birit këtë sekret.
Duke e ditur se familja Mustafa ishte pronare e shumë tokave dhe mjaft e pasur asokohe, askush në Gjilan, nuk ka dyshime që lirat ishin të babait të Farukut, por kishin përfunduar në duar të tjetërkujt. /MediaFokus/

