E tmerrshme, kjo është gjendja e rrugëve që çojnë në Gjilan

Askush nuk do të donte të nisej për Gjilan këto ditë, shkaku i rrugëve të dëmtuara skajshmërisht.

Tmerri më i madh është nëse udhëton në drejtim të Ferizajt, ku punimet kanë nisur para një viti dhe me këtë dinamikë zor se mund të përfundojë brenda tri viteve të ardhshëm.

Andej nuk dihet më nëse dikur ka ekzistuar një rrugë asfalti apo je duke ecur me makinë një fushe me gropa e pelgje uji.

Dhe nëse ju duhet me patjetër të bëni rrugën regjionale Gjilan-Ferizaj apo anasjelltas, atëherë të paktën bëjeni gjatë ditës, mundësisht.

Segmenti nga udhëkryqi i Cërnicës deri në Partesh ka muaj të tërë që është gërryer për t’u shtresuar me asfalt dhe nuk është prekur më.

Njësoj është vepruar edhe në pjesën Budrigë-Radivojc, e cila edhe pse është asfaltuar, është larg standardeve të një  rruge normale. Pjesë-pjesë ka filluar të dëmtohet menjëherë.

Së fundi është gërryer segmenti Livoç i Poshtëm-Partesh dhe kjo është pjesa më e tmerrshme.

Mirëmbajtja e rrugëve regjionale është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.

Riparimi i rrugëve në Kosovë bëhet në mënyrën më të keqe të mundshme.

Fillimisht gërryhet asfalti i dëmtuar në tërë gjatësinë e rrugës, ndodh deri në 10-15 km dhe lihet ashtu me muaj.

Lëvizja në rrugë të tilla, si kjo Gjilan-Ferizaj, maksimalisht e degraduar ka kosto të jashtëzakonshme për vozitësit, sikurse edhe për bizneset përgjatë saj.

Po ashtu, duhet marrë parasysh që në rrugët regjionale nuk lëvizin vetëm banorët lokalë.

Edhe në një segment të rrugës Gjilan-Kamenicë, është duke u punuar prej dy vitesh, derisa rruga Gjilan-Prishtinë është mbushur me gropa nga dëmtimet gjatë dimrit.

Mirë që po bëhen punime, por ato duhet të kenë një dinamikë dhe të bëhen sipas një plani dhe afati të arsyeshëm kohor. Jo, nis e lëri, siç po ngjan edhe me autostradën.

Gjilani ka ngelur i bllokuar nga të gjitha anët. /Mediafokus.info

Segment i autostradës Gjilan-Prishtinë