E tmerrshme: Vetura mbyt dy 8-vjeçarë nga Shtimja

Dy fëmijë të moshës 8-vjeçare kanë vdekur si pasojë e lëndimeve trupore, pasi u goditën nga një veturë. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Carralevë të Shtimes, derisa fëmijët kanë ndërruar jetë në QKUK, ku u dërguan për trajtim mjekësor.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate të publikuar në ‘Facebook’ ku po ashtu ka njoftuar se drejtuesi i veturës është ndaluar për 48 orë.

Njoftimi i plotë:

Me datën 09.05.2021 rreth orës 16:12 në fshatin Carralevë të Shtimes ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor,  e përshirë një automjet civil i udhëtarëve dhe dy këmbësorë (fëmijë, të lindur në vitin 2013).

Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën Shtime–Prizren dhe me të arritur në fshatin Carralevë, për shkak të mospërshtatjes të shpejtesisë së lëvizjes dhe kushteve të rrugës, kthesë, humb kontrollin mbi automjet dhe kalon në shiritin e kundërt të levizjes dhe i godet dy këmbësoret në trotuar.

Si pasojë e ketij aksidenti të komunikacionit, fillimisht lëndime të rënda trupore marrin dy këmbësorët, të cilët pasi marrin ndihmën e parë mjekësore në QKMF-Shtime, dërgohen në QKUK-Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, por nuk kanë mundur t’u mbijetojnë lëndimeve të rënda trupore dhe kanë ndërruar jetë.

Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, drejtuesi i automjetit, V.M (M/SH/K) është ndaluar për 48 orë.

Njësia rajonale e komunikacionit rrugor e drejtorisë rajonale të policisë në Ferizaj, i ka marrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me këtë rast.