E vrau në gjumë burrin me të cilin kishte 10 fëmijë

Një 59-vjeçare shqiptare ka rrëfyer në gjyq se si e ka vrarë burrin në gjumë, duke e goditur me një sqepar.

Drane Deda, e cila vijon të jetë me masën e sigurisë “Arrest me burg”, akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare”.

Mëngjesin e 6 nëntorit të vitit 2020, 59-vjeçarja, nënë e 10 fëmijëve, goditi me sqepar në kokë bashkëshortin e saj, Llesh Deda, 61 vjeç.

Në momentin e ngjarjes çifti kanë qenë vetëm në banesë dhe dyshohet se fillimisht kanë debatuar me njëri-tjetrin, madje burri e kishte dhunuar gruan.

Sipas policisë, 61-vjeçari ishte përdorues alkooli dhe çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme, por nuk janë raportuar raste dhune në familje.

Ata jetonin të vetëm, në kushte të vështira ekonomike, në një banese thuajse të shkatërruar fare pranë autostradës Milot-Mamurras, në fshatin Sanxhak të Kurbinit.

Ditën e ngjarjes, siç ka dëshmuar gruaja më pas në polici, bashkëshorti i saj ishte në gjumë në momentin kur e qëlloi me sqepar.

“Më detyroi të bëja 10 fëmijë, më është nxirë jeta me të edhe pse kam vijuar të qëndroj kaq gjatë. Atë ditë nuk jemi grindur fare. Ai ishte në gjumë dhe unë shkova në magazinë, mora një sqepar dhe ashtu siç flinte, e kam qëlluar dy-tri herë. Më pas kam shkuar në shtëpinë e kunatës dhe i kam treguar se çfarë kishte ndodhur”, ka rrëfyer para oficerëve Drane Deda.

Pas ngjarjes së rëndë në familje, dy vajzat e çiftit Deda thanë se nëna e tyre ishte dhunuar gjithë jetën nga babai.

Një prej vajzave deklaroi kohë më vonë në “News 24” se babai mbante gjithë kohës një sqepar te koka kur flinte, prej të cilit ironikisht gjeti edhe vdekjen.

Sipas vajzës Daniela Deda, prej gati dhjetë vitesh ata nuk flinin bashkë.