‘Ecohigjiena’ e rrit sërish faturën e mbeturinave

Kompania rajonale për grumbullimin e mbeturinave në Gjilan ka ngritur faturën për amvisnitë për 20 cent, nga janari i këtij viti.

Kësisoj, fatura e janarit, qytetarëve u ka shkuar me 6.20 euro nga 6 euro sa ishte më parë.

Rritja është bërë jashtë harmonizimit me rregulloren komunale për shërbime publike, që rregullon edhe tarifën për grumbullimin dhe mbajtjen e mbeturinave dhe pa marrëveshje me partnerin publik, që është Komuna e Gjilanit.

Rritja e çmimit, sado e arsyeshme qoftë, do ta rëndojë edhe më shumë xhepin e qytetarëve në këtë kohë të krizës ekonomike dhe sociale.

Kuvendi i Komunës, në mbledhjen e tij të fundit, ka rekomanduar një auditim në këtë kompani sa i përket përmbushjes së kushteteve të kontratës së partneritetit publiko-privat./Mediafokus.info