Edhe dy javë ka afat për pagesë të tatimit në pronë nëse nuk doni të gjobiteni

Edhe dy javë kanë kohë qytetarët e Kosovës që të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë.

Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa si dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës miratoi ditë më parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme përmes së cilit tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro apo sa lartësia e faturës.

Vendimi po kundërshtohet nga partitë opozitare.

Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore.

Kjo normë është 0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës.

Faturat e tatimit në pronë këtë vit janë më të larta se më herët.