Edhe dy shqiptarë tjerë sigurojnë ulëse në Parlamentin e Cyrihut

Zgjedhjet për Parlamentin e Cyrihut po rezultojnë të frytshme për komunitetin e këtushëm shqiptar, shkruan albinfo.ch.

Kështu, pas Përparim Avdilit (FDP) dhe Reis Luzhnicës (SP) të cilët fituan mandatin e dytë si asamblistë, edhe dy kandidatë tjerë, Islam Alijaj – Lomi dhe Gadaf Muharemi – Dafi, të dytë nga Partia Socialdemokrate, kanë fituar ulëse në asamblenë e qytetit më të madh të Zvicrës.

“Jam zgjedhur në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut me 3’591 vota. Nuk e kam pritur këtë as në ëndërr”, shkruan në një postim në FB Islam Alijaj – Lomi, duke falënderuar zgjedhësit.

Alijaj, pos si kandidat i disahershëm për deputet në nivel komunal, kantonal dhe federal, njihet si aktivist shoqëror, me angazhim të veçantë për të drejtat e njerëzve të hendikepuar.

Ai vetë është person me nevoja të veçanta dhe është përpjekur që të inkurajojë të tjerët që të luftojnë për të drejtat e tyre legjitime në shoqëri.

1415 vota i kanë mjaftuar Gadaf Muharemit – Dafi për të qenë i dyti për nga numri i votave në listën e qarkut të 12-të dhe për të siguruar kështu një vend në parlament.