Edhe një javë kohë- Kurti vështirë të gjejë partnerë koalicioni: A do të formohet qeveria e re?

Të shtunën e javës ë kaluar, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ta formuar qeverinë e re të Kosovës. Ky hap u realizua plot tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën me 9 shkurt të këtij viti. Një gjë e tillë u bë për shkak të krizës së thellë që pa vendi në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe hapi në fjalë, pra mandatimi i Kurtit nga Osmani, u pa me kritika, pasi që i njëjti u bë një ditë para zgjedhjeve lokale, që u mbajtën me 12 tetor, të dielën.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, esenca e çështjes këtu mbetet formimi i qeverisë së re.

Për këtë të fundit, LVV-së dhe liderit të saj Kurti, i duhet një koalicion, meqë si e vetme kjo parti s’e ka shumicën e nevojshme.

Por, një koalicion, duket se Kurti e ka vështirë ta arrijë. Kjo duke u bazuar në vetë deklarimet e partive të tjera.

Dje, pikërisht me këtë temë, është deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri.

“Jo ne nuk do ta votojmë, ashtu siç e dini edhe ju edhe qytetarët e Kosovës. Ne i kemi marrë disa ftesa për me hy në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi, domethënë kur ka fillu hapat e parë për konstituimin e Kuvendit. Ne të gjitha ato i kemi refuzuar, për arsye që mendojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme të qeverisë me LVV, duke e pasur parasysh që qeverisja e tyre gjatë katër viteve të kaluara, ata kanë keqqeverisur me të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë. Kështu që kësaj radhe ne nuk do të bashkëqeverisim e as nuk do ta votojmë qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi dje Guri.

Kundër një koalicioni të tillë me VV-në janë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Ferat Shala nga kjo parti ka hedhur poshtë një mundësi të tillë. I njëjti në një deklarim dhënë për Front Online ditë më parë ka thënë se, kjo parti as s’ka pasur ide, qëllim e as kurrfarë aktiviteti në lidhje me ndonjë koalicion.