Edhe një luftëtar më pak…

Izmi Zeka

Jemi për studim. Lëreni more le të vdesin njerëzit rehatshëm. Çka po shkruani se kush ishin. Ky djali që vdiq sot ku ishte dje, çka bëri që askush nuk e njohu.

Veterani i luftës. Besoni, jemi bërë për të qeshur edhe qarë.

I shajmë, i fyejmë në të gjallë e pastaj kur të vdesim shkruajmë dhe jo vetëm kaq por vrapojmë se cili po shkruan i pari. Lëreni të vdesin të qetë. Pashë atë zot, leni të qetë se nuk kanë nevojë për ju.

Ata bënë aq sa munden, luftuan me pushkë e penë dhe përfunduan misionin e tyre. Mos derdhni lot krokodilli pas vdekjes së tyre.

Ju nuk i bëtë hesap për njerëz, siç është një fjalë popullore. Ata nuk kanë nevojën që ju të shkruani, as t`u thurni lavde, ama bash hiq. Shikoni si i trajtoni në të gjallët e tyre dhe kaq. Leni pas vdekjes të shkojnë të qetë.

Nuk kanë nevojë për fjalët tuaja, as për dhimbjen publike që e bëni duke shkruar historinë e tyre.

Sot mësova se kush ishte ai djali i Dukagjinit, ama pas vdekjes. Sa ishte gjallë desh e hëngrët. Çfarë hipokrizie shqiptare.

I vdekur është i mirë edhe kjo ishte njëfarë filozofie e mbjellur historikisht tek ne. Po qajnë sot të gjithë, pa përjashtim, bile po e përmendin edhe njëfarë Nasim Haradinaj që gjendet në Hagë. Hipokrizi e llojit shqiptar.

E tani vraponi ta varrosni dhe dikush të dalë e të flasë te varri i tij. Mjerimi shqiptar nuk ka kufij.

Edhe aty dikush duhet të tregojë veten. I vdekuri është i mirë. Por i gjallë nuk bënë. Kështu që lëreni të shkojë ky djali i qetë, sepse ai ka bërë detyrën e vet dhe kaq.

Mos vraponi t`i thurni lavde. Për të gjallë kemi parë se çfarë bëni ju.

Dhe diçka, mos u bezdisni se ata po vdesin, veteranët e luftës, po ikin. Ju që shkruani mirë, ndaluni. Boll ma se jeni lodhur.

Ka vdekur filan fisteku, veterani i UÇK-së. Kur lexon, mendon se ishte Napoleon Bonaparta. E për të gjallët e tij nuk e thanë asnjë fjalë.

Ju jeni burracakë, të pa shpirt, hipokritë. Nuk ka nevojë ushtari i dikurshëm për lavde pas vdekjes, as këngët e baladat që i thurni ju.

Lëreni të shkojë i qetë. Me kaq ju i bëni nder.