Edhe njëherë tjetër dështon votimi i komisionit për zgjedhjen e kryeparlamentarit
Ka dështuar sërish, për të 13-ën herë me radhë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku ishin të pranishëm 113 deputetë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka propozuar votimin e komisionit për votim të fshehtë, derisa partitë tjera insistojnë nuk e përkrahin votimin e fshehtë, pasi është në kundërshtim me rregulloren.
PDK, LDK, AAK dhe LS as këtë herë nuk kanë propozuar asnjë emër për këtë komision.
56 vota ishin për, një kundër e asnjë abstenim.
Hykmete Bajrami (LDK) ka thënë se “mundesh me na thirrur edhe 48 herë, por LDK mbetet në pozicion të pandryshuar.
Dehari ia ka ndërprerë menjëherë fjalën asaj.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pas përfundimit të seancës, tha se Albulena Haxhiu as nuk i ka e as nuk do t’i ketë votat për kryeparlamentare.
“Do ta kemi qëndrimin e njëjtë që ka nevojë për diskutim e rrugëdalja është e qartë – të ndërrohet kandidatja”, tha ai para mediave pas përfundimit të seancës së sotme.
Krasniqi përsëriti se “sundimi njëpartiak” ka përfunduar.
Ndërkaq, deputetja e AAK, Time Kadrijaj ka thënë se ata tashmë kanë mbledhur disa nënshkrime për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
“Sepse nuk bën të luhet me rregulloren e Kuvendit”, ka thënë Kadrijaj.
Sipas Kadrijajt, VV edhe pse është parti fituese, nuk ka të drejtë ti ndryshojë rregullat e lojës.

