‘Edhe po të ishin 22 ditë o Pajë, për ne do të ishin shumë’
Në 22-vjetorin e rënies së Pajazit Ahmetit, më 15 prill 1999, në betejën e Zhegocit, atë e ka përkujtuar me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme bashkëshortja Fatime Ahmeti, heroina e Gjilanit, e cila ka rtitur dy fëmijë të mrekullueshëm, trashëgimtarë të heroit.
‘…edhe po të ishin 22 ditë o Pajë, për ne do të ishin shumë. Por u bënë 22 vjet që ti më nuk je… e do të kaloj edhe një jetë e tërë!
Miloti dhe Qëndresa sot janë rritë. Janë rritë ashtu siç doje ti të ishin sot por jo siç donim ne, që të katër të ishim bashkë në ditë të mira dhe të vështira.
Ti ike Pajë, ike për të na mbrojtur ne, ike për ta mbrojtur Kosovën dhe ia dole. Ne sot jemi, po pa ty nuk jemi të kompletuar, Kosova është çliruar por jo e kompletuar.
Si ti Pajë ëndërruan edhe shumë shokë tu, të cilët sikurse ti dhanë jetën për ne, për Kosovën.
Prandaj, sot në 22 vjetorin e rënies tuaj, ne ju kujtojmë me krenari, ashtu siç ju kemi kujtuar që nga dita e parë dhe me krenari do ju kujtojmë gjithmonë…’.


