Ekskluzive: Ky është personi që u kap në flagrancë duke vjedhur në “Sag Lounge Bar” në Gjilan
Një rast i vjedhjes së rëndë është zbuluar në orët e hershme të mëngjesit në Gjilan, ku Policia ka arrestuar një person të dyshuar, i cili sipas hetimeve lidhet edhe me raste të tjera të ngjashme.
Sinjali mëson se më 25.01.2026, rreth orës 05:30, Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Gjilan, pas një pune të vazhdueshme hetimore, ka arrestuar të dyshuarin: Egzon Isufin.
Sipas informacioneve, i dyshuari është kapur në flagrancë, teksa po kryente veprën penale “Vjedhje e rëndë”, në lokalin/kafiterinë “Sag Lounge Bar”, në rrugën “Raif Halimi” në Gjilan.
Burime të besueshme bëjnë me dije se gjatë procedurave policore, i dyshuari ka pranuar edhe disa raste të tjera vjedhjesh, ndërsa rasti po trajtohet edhe për veprat penale “Vjedhje” dhe “Vjedhje e rëndë”.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh.
Hetimet për rastet e tjera që dyshohet se lidhen me të njëjtin person janë duke vazhduar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

