Ekskluzive: Pse VV po sulmon Agron Bekën? Ai thotë se ka shënjestruar për korrupsion disa zyrtarë të lartë

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, ka reaguar pas linçimeve që po i bëhen nga eksponentë të pushtetit (VV), duke thënë se kjo ka të bëjë me një veprim ligjor që ka ndërmarrë ndaj “disa zyrtarëve të lartë publikë”.

Egzon Azemi – asambleist i VV-së në Prishtinë, Qëndresa Fazliu – zëdhënëse e Ministrisë së punëve të Jashtme, Elvis Hoxha – aktivist i shquar i VV-së, dhe shumë të tjerë e shpërndan një fotografi në të cilën shfaqej ajo që pretendohet të jetë pasuria e deklaruar e Anëtarit të Këshillit Prokurorial, z. Agron Beka.

Asnjëri prej tyre nuk ka përmendur arsyet pse po sulmon pikërisht z. Beka, dhe pse pikërisht në këtë moment. Por, duket se e gjitha ka të bëjë me ato që dihen prej një rrethi të caktuar të njerëzve të pushtetit.

Pasuria e paluajtshme e z. Beka shkonte në 7 milionë e 135 mijë euro, sipas deklarimit që vetë e kishte bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Juristi i mirënjohur dhe ish këshilltari i Kurtit, Durim Berisha, ka komentuar linçimet që po i bëhen z. Beka duke i cilësuar si “shembull klasik të propagandës, shpifjes dhe linçimet.”

Ai thotë se pasuria e z. Beka vjen nga “një prej kompanive më të suksesshme të patundshmërive në Kosovë”.

Por, pse ky sulm?

Beka i ka thënë gazetës Nacionale se ishte një veprim ligjor nga ana e tij e të cilin e ka marrë këto ditë “ndaj disa personave që janë pjesë e grupeve të interesit abuziv” që ka nxitur këto reagime “shantazhuese”.

Sipas Bekës, personat që janë atakuar ligjërisht prej tij “janë zyrtarë të lartë publikë”.

Nëse marrim parasysh që sulmet ndaj Blakajt po bëhen nga ana e eksponentëve të Vetëvendosjes, mund të aludohet se këta zyrtarë të lartë publikë i takojnë edhe kësaj partie politike.