Ekskluzive: Zbulohet kush janë dy të dyshuarit për shitblerje të drogës në Gjilan që u kapën në flagrancë
Një aksion i Policisë në Gjilan ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të substancave narkotike dhe arrestimin e dy personave të dyshuar për shitblerje të drogës dhe armëmbajtje pa leje. Operacioni i policisë është zhvilluar në rrugën “Elena Gjika”, ku janë ndalur fillimisht të dyshuarit, njëri prej të cilëve tentoi të ikë, por u u kap nga zyrtarët policorë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të arrestuarit janë Shqiprim Robelli, rreth 23-vjeçar dhe Enis Sopi, rreth 19-vjeçar.
Pas kontrollit të një lokacioni, Policia ka gjetur dhe sekuestruar gjysmë kilogrami substanca të llojit marihuanë dhe kokainë, të ndara në rreth 180 qese – të përgatitura për shitje dhe shpërndarje nga të dyshuarit.
Përveç drogës, të njëjtat burime thonë se zyrtarët policorë kanë sekuestruar në cilësi të provave edhe armë e municion, mbi 2 mijë euro para të gatshme, telefona, si dhe një automjet.
Dy të arrestuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

