Eksperti: Virusi zhduket për dy minuta nëse plotësohen këto dy kushte

Teorive jo të pakta se virusi në verë do të dobësohet nga temperaturat e larta, i shtohet sot edhe një deklaratë e dhënë nga eksperti italian, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë. 

Valter Ricardi, këshilltar i ministrit italian të shëndetësisë, ka thënë sot për mediat italiane se i ngrohti dhe lagështira mund të zhdukin virusin.

Në një intervistë për La Stampa, Ricardi mbështetet tek një studim i 24 prillit të prezantuar nga nënsekretari për sigurinë e brendshme në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas këtij studimi, në një ambjent të mbyllur me temperatura 24 gradë dhe me një lagështirë prej 20 për qind, virusi mund të rezistojë në një sipërfaqe për 18 orë, ndërsa me 35 gradë dhe me 80 për qind lagështirë, jetëgjatësia e tij nuk është më shumë se një orë. Por nëse flasim për ambjent të hapur, në diell, mjafton një temperaturë prej 24 gradësh dhe i njëjti nivel lagështire që virusi të zhduket për dy minuta.

Ai pranon se kjo nuk do të thotë se virusi nuk do të jetë në qarkullim, përkundrazi, virusi do të qarkullojë dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes, por vera do të ndihmojë.
Ai jep disa këshilla për italianët, se si duhet të sillen gjatë fazës së hapjes, në kohën që mund të takojnë familjarë, veçanërisht më të moshuar.
Ai këshilllon shmangien totale të prekjeve dhe kontaktin e afërt, mbajtjen e maskës dhe ruajtjen me fanatizëm të distancës.
“Sapo të hyni në banese lani mirë duart”, thotë ai, duke shtuar se “në një dhomë prej 30 metrash katrorë mirë është të mos qëndrojnë më shumë se katër persona”.
Duke u ndalur në debatin për maskën, ai thotë se ajo duhet detyrimisht në ambiente të mbyllura dhe aty ku nuk keni mundësi për distancë sigurie, ndërsa në rrugë, apo hapësira të mëdha, jo doemos, por gjithsesi duhet ta keni me vete, për çdo rast.