Ekspertja shqiptare nga Zvicra: Vaksinimi nuk ka alternativë
Dr. Fatime Imeri-Berisha: Vaksinimi është padyshim mënyra më efikase e luftës kundër përhapjes së virusit. Pa vaksinim, COVID-19 do të na shoqërojë edhe një kohë të gjatë, me intensitetin që e kemi përjetuar muajt e fundit, ka thënë Berisha në një intervistë të gjatë për albinfo.ch
Pas një kohe të gjatë të debateve për pandeminë e koronavirusit në përgjithësi, gjatë dy muajve të fundit kemi një intensifikim të debatit mbi vaksinat dhe vaksinimin, në veçanti. Kjo lidhet me avansimin që sidomos gjatë muajit nëntor u arrit në prodhimin dhe testimin e disa vaksinave. Në këtë kontekst, debati që po zhvillohet aktualisht lidhet me dilemat: të merret apo të mos merret vaksina. Këtu ka pak hezitim të kuptueshëm, kur dihet se lejimi i vaksinave nga autoritetet përkatëse është bërë në njëfarë “procedure të shkurtuar”.
Konstatim dhe fakt është që procedura e testimit është bërë pak më ndryshe nga kriteret e deritashme. Në bazë të kritereve deri më tash, së pari është bërë faza klinike I ku janë testuar përafërsisht 100 persona të shëndetshëm (18-55 vjeç) dhe pastaj është filluar me fazën klinike II kurse pas përfundimit të saj me fazën klinike III. Nëse gjatë fazës I janë shfaqur efekte anësore të rrezikshme, janë ndërprerë testimet e mëtutjeshme dhe janë rishikuar edhe një herë doza dhe përmbajtja a vaksinës.
Për pasoja, nëse do të ketë, është ende herët të flitet, sepse nevojiten të dhëna të cilat mund t`i kemi vetëm atëherë kur të kalojë një periudhë kohore e caktuar.
Ende nuk dihet nëse këto vaksina lënë imunitet të përjetshëm apo njerëzit duhet të rivaksionohen pas një kohe. Pasi që ende nuk kemi informata të tilla, është vështirë nga perspektiva e ditës së sotme të përcaktohem për njërën nga këto vaksina.
Skepticizmi ndaj vaksinave ka ekzistuaredhe para vaksinës kundër COVID-19. Vaksinimi do të thotë në njërën anë mbrojtje nga infeksioni me një mikroorganizëm të caktuar (bakterie, virus). Në anën tjetër do të thotë edhe solidarizim me personat e rrezikuar, për të cilët infeksioni me atë mikroorganizëm mund të jetë fatal.
Nëse individët e shëndetshëm janë të vaksinuar dhe imunë, atëherë rrjedhimisht, ata nuk do të infektohen dhe nuk do ta përhapin virusin te pacientët me sëmundje kronike, për të cilët infeksioni mund të përfundojë me komplikime dhe vdekje.
Vaksinimi do të ishte padyshim mënyra më e mirë dhe më efikase e luftës kundër përhapjes së virusit.Kam frikë që pa aplikimin e vaksinës, COVID-19 do të na shoqërojë edhe një kohë të gjatë me intensitetin që e kemi përjetuar muajt e fundit.
Duke u bazuar në deklaratat e ekspertëve, shpresoj shumë që ky proces të përfundojë në 2021/2022. Natyrisht, nëse efikasiteti dhe siguria e vaksinës do të jenë në nivel. Nëse vaksina do të vazhdojë të ketë efikasitetin e njëjtë si në testime klinike (mbi 90%), dhe nëse vaksinohen pjesa dërmuese e njerëzve (mbi 90%), atëherë, edhe nëse virusi nuk zhduket tërësisht, ne do ta kemi nën kontroll COVID-19!

