Ekspozitë: Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare
Qendra Kulturore Informative “Malësia” ka organizuar ekspozitën e fotografive me karakter historik “Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare”.
Ky aktivitet vjen si projekt i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” në bahkëpunim me Insitutin Albanologjik në Prishtinë, shkruan malesia.org
Espozitën e shpalli të hapur u.d. i drejtorit të QKI “Malësia” Vasel Berishaj, ndërsa lidhur me projektin që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri, folën kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi si dhe nënkryetari i shoqatës, Ali Daci.
Ekspozita ka për qëllim njohjen e opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar me të kaluarën, kulturën dhe traditën e popullit shqiptar në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe më gjerë.
Në bazë të dhënave dhe dokumentacionit të përgatitur, mësohet se kjo trevë, në vazhdimësi ishte e banuar nga fiset ilire e së fundmi fiseve të ndryshme si Kelmendasit, Kuçët, Hotët, etj.
Kjo popullatë iu nënshtrua asimilimit të gjatë shekullor duke ia imponuar gjuhën dhe kulturën sllave, fillimisht si myslimanë dhe përfundimisht si boshnjakë.
Por, të gjitha dëshmitë flasin se kjo trevë edhe në ditët e sotme është e banuar nga shqiptarët, edhe pse pjesa dërmuese e tyre deklarohen boshnjakë jo më larg se në brezin e dytë na dalin puro shqiptarë.
Trashëgimia kulturore është trashëgimi fizike e artefakteve dhe objekteve (atributeve) të një grupi ose të shoqërisë, të cilat janë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara, te gjeneratat e tashme me qëllim të kujdesit për të mirën e brezave në të ardhmen.
Trashëgimia kulturore e Sanxhakut përfshin pronën kulturore, kulturën materiale, kulturën shpirtërore (e të tilla janë: folklori, traditat, gjuha dhe veshjet tradicionale shqiptare, traditat, gjuha dhe ritet tradicionale), si dhe trashëgimia natyrore.
Fotografitë e dokumentojnë thelbin e epokave të ndryshme më mirë se çdo medium tjetër, por janë më shumë se formë e dokumentimit. Ato inkorporojnë vlerat artistike-tregojnë histori të pathëna ose të pashkruara me fjalë.
Ekspozita do të ndikojë në mase të duhur te studentët aktualë dhe tek ata që do të vijnë të merren me studimin e këtij rajoni, që jep kontribut të madh të ngritjes së vetëdijes kombëtare të viset shqiptare që janë pothuajse të asimiluara.

