Ekzekutohet pagesa e parë prej 37.7 milionë euro ndihmë për bizneset

Në kuadër të zbatimit të Planit të miratuar nga Qeveria e Kosovës për zbatimin e Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ekzekutuar sot pagesën e parë për bizneset e vendit.

Shuma e cila është ndarë në këtë kategori arrin vlerën e 60 milionë euro subvencione, ku gjatë ditës së sotme nga MEA është ekzekutuar pagesa e parë prej 37,710,730 milionë euro për 15,745 biznese, të cilat i kanë plotësuar kushtet në këtë fazë.

Pjesa tjetër e vendimit do të zbatohet në ditët në vijim ku do të përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat kanë aplikuar sipas kritereve të parapara.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në prezantimin e këtij propozimi në mbledhje të Qeverisë, kishte thënë se, kjo përfshinë edhe bizneset e reja të regjistruara nga fillimi i vitit deri në muajin gusht 2020.

“Sipas Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe sipas vendimit të Qeverisë së datës 13 gusht, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ndahen 60 milionë euro, ndarja behët për subvencionimin e pagave për bizneseve aktive bazuar me numrin e të punësuarve, të deklaruar në deklaratën e tatimit të muajit dhjetor 2019 që plotëson kushtet në vijim: të kenë statusin e tatimpaguesit aktiv për muajin korrik dhe të kenë të dorëzuar deklaratën tremujore”, kishte thënë Bajrami, përcjell Telegrafi.

Sipas saj, nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët.

“Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët. Subvencionimi përfshin edhe për bizneset e regjistruara për periudhën janar-gusht 2020, ku në këtë rast subvencionimi bazohet në numrin e të punësuarve për muajin korrik 2020”, ka shtuar ajo.