Elez (Kadri) Elezi ishte pjesë e brezit të atdhetarëve të pathyeshëm që u radhitën përkrah Shaban Polluzhës

Shkruan Dr. Elez Elezi

Në histori ka emra që ndoshta nuk janë shkruar me shkronja të mëdha në librat zyrtarë, por janë skalitur përjetësisht në kujtesën e popullit, në gjakun e derdhur për liri dhe në ndërgjegjen tonë kombëtare.

Njëri prej tyre është Elez Kadri Elezi, axha im i dashur dhe krenaria e familjes sonë, i cili ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftën për çlirim të Kosovës në vitet më të errëta të pushtimit jugosllav.

Elez Elezi ishte pjesë e brezit të atdhetarëve të pathyeshëm që u radhitën përkrah Shaban Polluzhës, simbolit të qëndresës shqiptare në Drenicë.

Në janar të vitit 1945, në kohën kur OZN-a jugosllave po përpiqej të zhdukte çdo shkëndijë lirie, ai iu bashkua një aksioni heroik për likuidimin e shtabit serbo-malazez në lagjen Kodra të Prekazit të Ulët.

Në atë betejë legjendare, ai ishte pjesë e rrethit të dytë, së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë të rinisë patriotike të Drenicës, të cilët kishin vetëm një ideal: LIRI O VDEKJE.

Elez Elezi shërbeu si roje e sokakut në lëvizje, një detyrë që kërkonte përkushtim, vigjilencë dhe trimëri.

Ai nuk ishte vetëm pjesë e një plani ushtarak; ai ishte pjesë e një ideali të madh për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar.

Sipas dokumenteve të kohës, ai ra në duart e OZN-ës në vitin 1945 dhe u likuidua mizorisht nga regjimi komunist jugosllav në rrethanat më të rënda, duke hyrë në përjetësi me emrin e njeriut që nuk u dorëzua kurrë.

Sot, kur ne flasim për trimërinë e brezave që na paraprinë, emri i Elez Elezit nuk duhet të mungojë kurrë. Ai është simbol i një Drenice që nuk u përkul para asnjë pushtuesi, i një Kosove që lindi nga gjaku i bijve të saj më të mirë.

Për mua, si nip i tij, ai është burim i pashtershëm krenarie dhe përgjegjësie. Krenari për gjakun që na rrjedh në deje dhe përgjegjësie për ta kujtuar dhe nderuar këtë gjak me vepra, me fjalë të ndershme, dhe me qëndrim burrëror ndaj së vërtetës.