‘Elita 5’ bashkohet me studentët kundër Besiana Mehmedit

Këngëtari i grupit “Elita 5”, Arif Ziberi ka marrë pjesë në protestën e studentëve kundër profesoreshës Besiana Mehmedi.

“Unë jam në përkrahje të këtyre studentëve që me arsye kanë ngritur shqetësim”, tha Ziberi.

Ai u shpreh se profesoresha Besiana Mehemedi me vite e ka në gjak maltretimin dhe ofendimin.

“Unë jam në rrjedha dhe e di për shkak se kam fëmijët këtu në fakultet dhe di ndodhitë që profesoresha bën ndaj studentëve”, u shpreh solisti Ziberi.

Studentët e Fakultetit të Arteve përmes një konference për shtyp kërkojnë nga Universiteti i Tetovës të merr masa ndaj profesoreshës Besiana Mehmedi për shkak të sjelljes jo etike dhe kërcënuese ndaj studentëve.

“Dhuna psikike, bullizmi sistematik përmes fjalëve të ndryshme fyese, kërcënimi që do na kapë për fyti si dhe ndjekja se çfarë pëlqejmë dhe çfarë shkruajmë në rrjete sociale nga profesoresha Besiana Mehmedi, janë vetëm disa nga arsyet pse grupi i studentëve të artit muzikor tash 3 javë bojkoton mësimin në këtë lëndë”, u shpreh njëri nga studentët.

Ata thonë se profesoresha Besiana Mehmedi ka thyer nenin 320 të Statutit të UT-së ku garantohet shprehja e lirë e studentëve, prandaj kërkuan të ndërmarren masa ndaj saj.