Emiratet investojnë 32.5 milionë euro për ndërtimin e Gjinekologjisë së re në Prishtinë dhe modernizim të spitalit në Vushtrri
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë konfirmuar dy investime strategjike në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, të cilat kapin një vlerë të përbashkët prej 32.5 milionë euro.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori kosovar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Xhabir Hamiti pas një takimi zyrtar në Abu Dhabi me Zëvendëssekretaren e Departamentit të Shëndetësisë, Dr. Noura Al-Gaithi.
Investimi më i madh i kësaj pakete është ndërtimi i Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë, një donacion me vlerë 25 milionë euro.
Ambasadori njoftoi se tashmë kanë nisur përgatitjet fillestare në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës për të përzgjedhur lokacionin e përshtatshëm për implementimin e këtij projekti madhor.
Krahas ndërtimit të ri në kryeqytet, investimi i dytë fokusohet në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri. Për këtë institucion, sipas Hamitit, është ndarë shuma prej 7.5 milionë euro, ndërsa procesi pritet të fillojë brenda këtij viti. Ky fond do të shërbejë për rinovimin e plotë të infrastrukturës spitalore dhe, mbi të gjitha, për pajisjen e tij me teknologji të re mjekësore.
“Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës”- ka shkruar ai në Facebook më 23.01.2026.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë shteti i parë në botën arabe që e njohu Kosovën më 14 tetor 2008.

