Emrat e katër zyrtarëve komunalë, të dyshuar për korrupsion
Shaban Ademaj, drejtori i ndërmarrjes private “B-Ademaj” Sh.P.K., në bashkëpunim me katër zyrtarë të Komunës së Prizrenit, dyshohen se mashtruan së paku tri familjare skamnore në Prizren.
Biznesmeni i ndërtimeve dhe katër zyrtarët komunalë të Prizrenit janë arrestuar të hënën me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren, raporton Paparaci.
Ata dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare përmes një kontrate të prokurimit publik të emërtuar: “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”.
Biznesmeni Ademaj, përfitues i një tenderi publik për furnizimin me material ndërtimor të familjeve në nevojë në Komunën e Prizrenit, dyshohet se nuk ia kishte dorëzuar në tërësi materialet ndërtimore së paku tri familjeve në nevojë.
Veprën penale, ai dyshohet se e kishte kryer në bashkëpunim me katër zyrtarë të Komunës së Prizrenit.
Paparaci ka mësuar emrat e tre zyrtarëve komunalë të dyshuar për përfshirje në shpërdorim të detyrës zyrtare. Ata janë: Çengiz Curciali, Asim Imeri, Raim Xhaferi. I dyshuar është edhe një zyrtare komunale me inicialet I.R., identiteti i plotë i të cilit nuk është zbuluar ende.

