Emrat shqip për toponimet sllave
Izeir Hyda
(Toponimet e vendlindjes sime Pogragjë)
Ka qindra vendbanime, etnikisht të pastra, në Kosovë e Shqipëri, ku nuk jeton asnjë banor sllav e migjithatë, evmërvendet në gjuhët sllave vazhdojnë të jetojnë aty, pa ndonjë histori.
Edhe Pogragja është një fshat etnikisht i pastër që krahasuar me vendbanime tjera në Kosovë e Shqipëri ka më së paku emërvende në gjuhët sllave.
Megjithatë kjo dukuri e përdorimit të disa emrave, në gjuhët e huaja, për çudi, po vazhdon akoma të jetoi edhe njëzetë vjet pas çlirimit.
Pushtues të ndryshëm, gjatë historisë, kanë kaluar në këto troje dhe njëra ndër qëllimet e tyre të errëta ka qenë edhe ndryshimi e emrave ekzistues dhe zëvendësimi i tyre me emra sllav.
Edhe në fshatin Pogragjë ka disa toponime në gjuhën sërbe si, Bellovoda, Gollogllava, Konjski puti, Zelenka e Meçava – emërtime, këto që na i la pushtuesi.
Bellovoda
Është një krua me ujë të ftohtë akull, që buron në Rrasën e Lipovicës, përafërsisht, njëqind metra në anën e majtë të lumit Llapushnica dhe është njëri ndër furnizuesit e shumtë të këtij lumi.
Nga ky krua, vëtetë del ujë i bardhë (Bello voda, sërb.). Pse të mos e quajmë shqip Ujë i bardhë, apo me emrin Kroni Akullit, toponim që është i përhapur mjaft shumë, në trojet shqiptare, siç e thotë edhe një këngë e vjetër popullore:
“O, kur mi l’shojshe dhentë, o q’ati shpatit
M’ju jepshe ujë, o te kroni ak’llit”
Gollogllava
Gollogllava është një kodër-mal që shtrihet ndërmjet rrugës Pogragjë – Sllubicë dhe rrugës Pogragjë – Llovcë, në vazhdim të Fushës së Lilës deri te Zabeli i butë.
Kjo kodër me 600m lmd me fusha të shumta, që më vonë u shndërruan në toka pjellore është në jug të fshatit Pogragjë dhe për shkak të pozitës së mirë gjeografike që ka, shfrytëzohet në çdo cep të saj.
Në arat e kësaj kodre është një krua – Kroi i Demës, që furnizonte bujqët me ujë kur punonin në këto ara.
Ky toponim shqip Kroi i Demës, sikur po e zëvendëson toponimin sllav dhe po mirëpritet nga vendësit.
Konjski put
Një rrugë malore Pogragjë – Bilinicë që kalon nëpër kurriz të një kodre, në anën e djathtë të Lugit t’Kalit (Lugi Jahisë) më herët është quajtur Rruga e Kalit, por me ardhjen e sërbve në fshatin Bilinicë, e ndërroi emrin e vjetër dhe e mori emrin sllav Konjski puti.
Emri i parë i këtij vendi duhet të ketë qenë shqip, sepse banorët e parë të Bilinicës ishin shqiptarët. Ata vazhdojnë të jetojnë aty edhe sot.
Në disa shkrime thuhet se Bilinica dhe Ilinca janë formuar nga dy vëllëzër, Ili dhe Bili, të cilët erdhën nga fshati Nikaj (Kaçaniku i vjetër) – Nikopolis.
Nga Ili është u formua Ilinika (Ilinca e sotme) dhe nga vëllau tjetër Bili eshtë formuar Bilinika (Bilinica e sotme).
Në fillim Bili u vendos rrënzë kodrës në anën e djathtë të Lumit të Sllubicës, pastaj u zhvendos pak më lartë se Bilinica e sotme (Varrezat e Elzës) dhe përfundimisht ku është Bilinica e sotme.
Kështu mendoj se ‘Konjski putit’ duhet t’i kthehet emri i vjetër Rruga e kalit
Zelenka
Zelenka është një kodër në shpatijet e Dupillës – emër në serb. (Kodra e gjelbër).
Mendoj se edhe kjo kodër duhet quhet shqip Gjelbërina, apo edhe me ndonjë emër tjetër që e zgjedhin bilinicasit.
Meçava
Meçava është një rrafshnaltë në veri-lindje të Pogragjës.
Është një kopmleks arash shumë pjellore që mbillen me gjithfarë kulturash bujqësore.
Janë arat e përbashkëta me fshatin Bukuvik.
Kanë një pozitë shumë të mirë gjeografike dhe shfrytëzohen nga te dy fshatrat.
Janë ara të rrafshta dhe mendoj të quhen Rrafshina, apo me ndonjë emër të përshtatshëm, natyrisht në mirëkuptim edhe me Bukuvikun.
Që toponimet sllave të zëvëndësohen me toponime shqipe duhet të punohet, më shumë në këtë drejtim!
Deri më tash është bërë fare pak, hiç disa përpjekje individuale, të ndonjë grupi apo shoqate.
Nuk është punuar asgjë në mënyrë institucionale.
Kur pushtuesit kanë arritur që t’i ndërrojnë emërvendet shqipe dhe në vend të tyre të vendosin emrat sllave. Po, pse ne nuk po arrijmë t’ kthejmë emrat e vjetër.
Është për çudi kjo neglizhencë si e përsonave përgjegjës ashtu edhe e institucioneve tona!
Na bëhet sikur pushtuesi na i la amanet këta emra, e neve po na duket sikur po bëjmë ndonjë mëkat t’i zëvendësojmë ato!
Sot në Kosovë, edhe pas njëzet vjet çlirimi me qindra vende e vendbanime mbajnë emra sllav, e në Shqipëri pas 110 vjet pavarësi, rreth gjysma e toponimeve janë sllave.
Kohët kanë ndryshuar… Nuk jemi në kohën kur na thonin pushtuesit, se edhe Zoti idhnohet kur ju flisni shqip.
Edhe t’parët tonë i shikuan këto vende e këto male, ashtu si po i shikojmë ne sot. Edhe ata folën shqip siç po flasim edhe ne sot.
Dëshmia më e mirë janë emrat e tyre: Pylla e Dupilla, Lisi e Sonumlisi, Skurrini e Rrasa e Guvenit, Skrepi e Limaja, Kodërgati e Kodërhuti e qindra emra të tjerë.
Do të bëjmë mëkat?! Kur emërvendet që kanë pas emra shqip i quajmë shqip, apo emrat që i ndryshoi pushtuesi, t’i kthejmë në emërtime të vjetra, ashtu siç kthehet gjithçka në kapital të vjetër.
Jo nuk bëjmë asnjë mëkat!
Zoti nuk idhnohet!
Idhnohen vetëm pushtuesit.
Bëjmë mëkat nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë. Prandaj është koha të reflektojmë!
E dimë se është vështirë që ky ndryshim të bëhet brenda nate. Duhet kohë e mund. Po kurrë nuk është vonë, kurrë nuk është larg kur dëshiron të arrish dikund.
Edhe rruga më e gjatë fillon me një hap. Është koha të fillojmë, dhe ate domosdoshmërisht, në mënyrë institucionale, kështu që emrat të zyrtarizohen dhe të përdorën si të tillë.


