Ëndrrat e banorëve të Karadakut nuk përfundojnë më te gurët e kufirit
Kufiri që për shumë vite i ndau shqiptarët e Karadakut dhe Kumanovës, tani është kthyer në një vendkalim që i bashkon ata.
Qyetarë nga të dyja anët, kanë vërshuar në pikën kufitare Stançiq-Bellanac.
Edhe Fehmi Sylejmani nga qyteti i Gjilanit ka kaluar sot në këtë pikë, për të vazhduar në Kumanovë, raporton portali mediafokus.info.
“Kjo portë e re komunikimi, po i bashkon edhe më shumë shqiptarët e dy shteteve, në përgjithësi.
Duhen vetëm pak minuta dhe nga Gjilani mund të arrish në Kumanovë, për t`i vizituar familjarët, miqtë, apo qoftë edhe për një kafe.
Kumanova nuk është më një qytet i largët prej Kosovës”, thotë Sylejmani.
Në të vërtetë, hapja e vendkalimit Stançiq-Bellanoc, në rrugën e vjetër të Mbretit, mund të vlerësohet një nga projektet më të rëndësishëme, që lidh dy shtete, në distanca minimale.
Banorëve të zonës së Karadakut u ka mundësuar lidhjen me pjesën e Kumanovës, për 10-15 minuta dhe ata nuk kanë nevojë më të bëjnë mbi 100 km rrugë, për t`i vizituar të afërmit e tyre.
Kjo rrugë ka një histori të gjatë. Banorët thonë se kësaj rruge, kishte hyrë në Kosovë Sulltan Murati i Parë, para më shumë se 620 vitesh dhe, po këndej kishin hyrë paqeruajtësit e NATO-s, 610 vjet më vonë, për t`i dhënë fund pushtimit serb mbi Kosovën.
Breza të tërë nga kjo anë e kanë përshkuar këmbë këtë rrugë, me vite e vite, deri në Kumanovë, për t`u takuar me familjarë dhe të afërm ose për të bërë pazare.
Kjo rrugë, që e ka nismën e saj në Gjilan dhe ecën nëpër një vijë strategjike, deri në Kumanovë, mundëson qarkullim më të shkurtër dhe më të lehtë me Maqedoninë si dhe hap mundësi zhvillimi ekonomik e turistik të kësaj zone, e cila në vitet e fundit është braktisur me të madhe.
Për më tepër rruga Gjilan – Kumanovë është njëra ndër portat e rëndësishme të Kosovës për dalje në korridorin e tetë ndërkombëtar dhe korridoret tjera evropiane të komunikimit tokësor.
Banorët e Grykës së Karadakut janë të lumtur që një synim i kahershëm i shumë brezave të kësaj ane, është bërë realitet.
Rruga është një projekt i shpresës dhe i së ardhmes për këtë zonë. /Mediafokus

